Restoranti i Mihal Kokëdhimës, komentet e turistëve vendas e të huaj

schedule15:08 - 18 Gusht, 2019

schedule 15:08 - 18 Gusht, 2019

Restoranti i Mihal Kokëdhimës kishte një pozicion të favorshëm në bregdetin e jugut, me një panoramë të spikatur nga lokali, por edhe plazhi. Frekuentues të tij janë turistë vendas e të huaj.

Këta të fundit kanë lënë komente të shumta në platformën Google, që ofron mundësinë e rankimit e vlerësimit të cilësisë së njësive të shërbimit, bare, restorante, hotele apo resorte.

Komentet dhe vlerësimet e klientëve janë shumica negative. Vlerësimi për bar restorantin në zonën e Porto Palermos në Google është 2.7 nga 5, që është nota maksimale.

Komentet arsyetuese të turistëve të ndryshëm, dallojnë për evidentimin e sjelljes agresive të pronarit me turistët, çmimet e larta në raport me lokalet e tjera, apo edhe taktika mashtruese me faturën e llogarisë.

Kështu, dy vite më parë një turist i huaj, duke postuar faturën,  paralajmëron klientët e ardhshëm që të mos pranojnë asgjë që nuk kanë porositur, as vajin e ullirit shkruan, pasi sipas tij i është faturuar në vlerën e 250 lekëve, e në faturë ka gjetur të listuara 2 produkte të tjera, djathë dhe lakër, të faturuara 700 lekë, që nuk i kishte porositur. Ankesës së tij për tre produktet e paporositura, pronari luftarak sipas tij, i ishte përgjigjur se si klientë kishin qenë të uritur dhe i kishin ngrënë.

Klientë të tjerë ankohen edhe për cilësinë e peshkut dhe peshën që ofrohet. “Të mashtrojnë për peshën dhe kanë çmime të shtrenjta”, shkruan një turiste italiane para një viti, duke këshilluar që të qëndrohet larg atij restoranti.

Aktualisht restoranti është i mbyllur ndërsa pronari nën arrest, pasi disa ditë më parë terrorizoi një grup turistësh spanjollë, të cilët ishin larguar të pakënaqur nga lokali. Restoranti i ndërtuar mbi plazh, rezulton prej vitesh pa leje dhe është në proces legalizimi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!