Rasell Uestbruk i jep fitoren Oklahomës

schedule14:34 - 16 Dhjetor, 2017

schedule 14:34 - 16 Dhjetor, 2017

Rasëll Uestbruk pati një tjetër ndeshje të madhe në basketbollin amerikan. Lojtari më i mirë i sezonit të kaluar siguroi fitoren e Oklahomës në fushën e Filadelfias

Shpesh quhet egoist, por kështu edhe ia do puna.

Rasëll Uestbruk është i veçantë në llojin e vet edhe në një ligë superyjesh si NBA, dhe me mënyrën e tij siguroi një tjetër fitore të Oklahomës.

Luhej në fushën e Filadelfias, dhe doli përballja më dramatike e sezonit.

U deshën tri kohë shtesë për të përcaktuar fituesin, dhe pas 63 minutash efektive dhe më shumë se dy orësh në parket, miqtë triumfuan 119-117.

Përballë Oklahomës, Filadelfia bëri gjithçka për të fituar.

Skuadra vendase deshi të kënaqte tifozët dhe më i miri tek ajo ishte Xhoel Embajl me 34 pikë, por fort luajtën edhe Redik, Shariç apo Kovington.

Uestbruk realizoi tripëll dabëllin e radhës, me 27 pikë, 18 topa në tabela e 15 asiste, si dhe duke i vjedhur dy topa kundërshtarëve.

Tensioni ishte I madh dhe mbrojtja vendase tepër e fortë, gjë që e detyroi basketbollistin me numrin 0 në fanelë që të gabonte shumë në gjuajtje.

Gjithsesi, Uestbruk vazhdoi ta provonte derisa pati sukses.

Pavarësisht gabimeve dhe individualizmit të theksuar, ai di të ndihmojë shokët.

Jo më kot udhëheq NBA-në me numrin e asisteve duke lënë prapa jo më pak se vetë Lebron Xhejmsin.

Po ashtu, ai udhëheq edhe renditjen e tripëll dabëllave për lojtarët ende aktivë, ndërsa me 89 të tillë po i afrohet podiumit të të gjitha kohëve.

Lojtari më i mirë i sezonit të kaluar dëshiron edhe diçka që nuk e ka provuar, një titull kampion./abcnews.al