DURRËS- Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako, shpalosi një pjesë të vizionit të saj në studion e ABC News për zgjedhjet e 14 majit. Ajo tha se në fokus do ketë rindërtimin, turizmin, ndërtimi i rrugëve si dhe realizimin e terreneve sportive.
Përballë gazetarit Arlind Isa në “Special Report”, Sako u shpreh se në mandatin e saj synon që plazhet e qytetit të kenë një siguri të lartë, dhe kjo siç shtoi ajo do të fillojë me instalimin e kamerave në plazh.
“Rindërtimi mbetet prioriteti kryesor. Ne e kemi objektiv dhe është puna kryesore që bëjmë gjatë ditës, por edhe një sërë objektivash dhe platforma. Mendojmë se ky do jetë mandati që do mbyllim nevojën për infrastrukturën shkollore. Do krijojmë sa më shumë hapësira për fëmijët, që të kenë mundësi për rekreacion. Turizmi është shtylla e ekonomisë së qytetit. Duam që të gjitha plazhet të jenë të monitoruara me kamera të sigurisë, për të bërë të mundur dhe për të dhënë një siguri shtesë. Do kemi prioritet mbetjet dhe menaxhimin e tyre, e kemi objektiv. Sporti mbetet një pikë tjetër ë rëndësishme. Kemi nisur ngritjen e terreneve sportive, kemi objektiv që të realizojmë rekonstruksionin e Pallati të Sportit, por dhe projekte madhore, si p.sh për ndërtimin e stadiumit”, tha ajo.
Ajo u pyet gjithashtu se pse Partia Socialiste ka zgjedhur të bëjë një fushatë të qetë dhe pa zhurmë, për këtë Sako bëri këtë përshkrim:
“Unë e shoh si qasje pozitive dhe ne kemi më shumë nevojë për komunikim midis njëri tjetrit. Mendojmë se është momenti që të ulemi dhe të shikojmë në sy njëri-tjetrin, por sigurisht që objektivit ynë është komunikimi me qytetarët dhe pa zhurmë rreth e qark. Kjo mbetet një garë. Garën, unë dhe PS e ka me qytetarët e Durrësit për të kërkuar votën e tyre. Nuk studiojmë rivalin tjetër, por ne do marrim besimin e qytetarëve. Kemi marrë seriozisht çdo gjë, qytetarët do kenë dy figura, ku njëri tregon punën e bërë, dhe tjetri flet përmes baltës së hedhur për punën e bërë”, u shpreh më tej Sako./n.m.abcnews.al