Mërgim Aliu është shqiptari i njohur me emrin e artit Castor dhe që po korr sukses në tregun muzikor. Ai ka publikuar së fundmi këngën “Roulette”, një projekt dashurie që përshkruan ndjenjën e humbjes.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Mërgim ka rrëfyer pse zgjodhi si pseudonim Castor dhe si e nisi pasionin për muzikën. Ai ka treguar se tekstin e parë e ka shkruar në moshën 8-vjeçare.
“Emrin Castor e kam zgjedhur nga mitologjia greke, ku janë dy vëllezër dhe Castori është i pavdekshëm. Edhe muzika ime do të jetë e pavdekshme dhe për të gjithë duhet ta dëgjojnë shumë. Edhe të vdes unë, muzika ime nuk vdes.
Unë kam lindur në Norvegji, rrënjët i kam shqiptare nga Shkupi. E flas shqipen jo shumë mirë, por mundohem. Kam shumë dëshirë të futem në rrënjët e mia. Erdha dhe jetova këtu pak në Tiranë, afër dy vite, bëra dhe një film me metrazh të shkurtër. Kur isha këtu dëgjoja plot artista të tjerë, muzikën shqiptare se më së shumti kisha dëgjuar muzikë suedisht.
Kur isha i vogël e doja shumë muzikën dhe në moshën 8 vjeç shkruajta tekstin tim të parë. Çdo herë i lutesha vëllait, ma shkruaj një tekst, ma shkruaj, jo duhet ta bësh vetë, më thoshte. Ai merret me filma, ndërsa unë merrem me muzikë dhe me filma”, u shpreh këngëtari./abcnews.al