Presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet në Holandë në një vizitë shtetërore, ku pritet të mbajë një fjalim mbi vizionin e tij për të ardhmen e Europës.
Macron , i cili sapo është kthyer nga një vizitë në Kinë javën e kaluar, u has me kritika të shumta pasi tha në një intervistë të botuar të dielën se Europa nuk duhet të “ndjekë” as rrugën e Uashingtonit dhe as të Pekinit, për sa i përket çështjes së Tajvanit.
Macron, i cili shoqërohet nga gruaja e tij Brigitte dhe shtatë ministra, do të darkojë me mbretin holandez Willem-Alexander dhe mbretëreshën Maxima, do të shohë ekspozitën e Johannes Vermeer në Rijksmuseum në Amsterdam dhe do të takohet me kryeministrin Mark Rutte.
Macron pritet të mbajë një fjalim mbi “sovranitetin europian” në çështjet e sigurisë dhe ekonomike të martën pasdite në institutin holandez Nexus në Hagë.
Fjalimi vjen pasi Macron tha në një intervistë për mediat, përfshirë të përditshmen franceze të biznesit Les Echos dhe Politico se “ne nuk duam të varemi nga të tjerët për çështje kritike”, duke përmendur energjinë, inteligjencën artificiale dhe rrjetet sociale.
Komentet e Macron në të njëjtën intervistë për Tajvanin, se Europa rrezikon të përfshihet në “krizat që nuk janë tonat” dhe duhet “të varen më pak nga amerikanët” në çështjet e mbrojtjes, kanë ngritur pikëpyetje, si komentet e tij të kaluara për Ukrainën.
Por Shtëpia e Bardhë tha të hënën se ishte e sigurt në marrëdhëniet me Francën pavarësisht komenteve të Macron. Në vazhdën e fjalimit, Parisi dhe Haga do të nënshkruajnë një pakt për inovacionin të mërkurën, duke u fokusuar në bashkëpunimin në gjysmëpërçuesit, fizikën kuantike dhe energjinë.
Franca dhe Holanda do të punojnë gjithashtu për të finalizuar një pakt të mbrojtjes deri në vitin 2024. Vizita synon gjithashtu të vulosë afërsinë në rritje midis dy vendeve që dikur ishin në skajet e kundërta të spektrit europian për kursimin dhe shpenzimet sociale.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, pozicionet kanë ndryshuar veçanërisht për sovranitetin europian, vuri në dukje Pallati Elysee.
Vizita e Macron është vizita e parë shtetërore e një lideri francez në Holandë që nga viti 2000.
/abcnews.al