Qeveria në Itali ndodhet në kufijtë e ekzistencës. Kryeministri Xhuzepe Konte ka shpërthyer ndaj ministrit të Brendshëm, Mateo Salvini lidhur me çështjen e emigrantëve, duke deklaruar se nuk mund ta trajtojë atë me formulën e porteve të mbyllura. Konte ka akuzuar gjithashtu Salvinin se me politikat e tij po izolon Italinë nga Europa.
Kriza politike që ka përfshirë Italinë vijon pikiatën e saj. Së fundmi, kryeministri Xhuzepe Konte ka kritikuar ashpër ministrin e Brendshëm Mateo Salvini në lidhje me çështjen e emigrantëve. Në reagimin e tij, Konte ka akuzuar Salvinin se nuk ka bashkëpunuar në mënyrë të ndershme me të.
“Dhe duke qenë se nuk është hera e parë, nuk mund ta pranoj më”, ka thënë Konte në një letër të hapur në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë ka theksuar se tashmë kabineti i formuar mes tij, Salvinit dhe kryetarit të Lëvizjes 5 Yjet Luixhi Di Maio është në kufijtë e mbijetesës.
“Jemi në pikat e fundit të eksperiencës sonë në qeveri. Kemi punuar krah për krah dhe gjithmonë jam përpjekur të të përcjell vlerat e dinjitetit të rolit që mbulojmë dhe ndjeshmërinë për institucionet që përfaqësojmë”, ka vijuar Konte në letrën drejtuar Salvinit.
Por, sipas kryeministrit, impulsiviteti i Salvinit e ka çuar atë shpesh herë të veprojë në kundërshtim me parimet institucionale. “Sa i përket emigracionit, e kuptoj obsesionin tënd për t’u përballur me këtë çështje me formulën e porteve të mbyllura, por emigracioni në vetvete është një temë komplekse”, ka vijuar Konte.
Ai ka theksuar se kjo është një çështje që duhet trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, në një kohë kur edhe partnerët evropianë po i shtrijnë dorën Italisë. Konte ka shtuar më tej se Italia ka nevojë të gjejë një zgjidhje evropiane, ndryshe do të gjendet shumë shpejt e izoluar dhe në një situatë të pamenaxhueshme./ABC News Albania 24/7



