Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të objekteve pranë vendit ku u vra Armando Gjini, në qendër të qytetit të Rrëshenit. Në pamjet filmike dallohen dy autorët e maskuar brenda makinës, me të cilën i zunë pritë 48-vjeçarit dhe e vranë.
Hetuesit kanë zbuluar pamjet e makinës momentin kur i bëri pritë Armando Gjinit, por jo plotësisht portretin e vrasësve. Në filmimet e kamerave të sigurisë të objekteve rreth vendit të ngjarjes, shikohen dy autorë të maskuar, njeri në timon dhe tjetri që ka qëlluar.
Ata duket se ishin në dijeni të kamerave ndaj pozicioni që ata kanë mbajtur kur kryen atentatin është me kurriz. Por megjithatë burime thanë për ABC Neës, se janë duke analizuar me detaje për të siguruar pamje të qarta për vrasësit të cilët dyshohet se janë paguar.
Hetuesit kanë vendosur si pistë kryesore të shkuarën e viktimës. Por problemet e shumta të Gjinit me borxhet, apo dhe me një gjakmarrje të vjetër i komplikojnë hetimet.
48-vjeçari Armando Gjini u qëllua me breshëri plumbash në qendër të Rrëshenit sapo kishte ndaluar makinën nga ku kishin zbritur fëmijët dhe gruaja e tij. Atentatorët e dogjën mjetin në dalje të qytetit dhe janë larguar me një tjetër makine.
Tre muaj më parë, viktimës Gjini i vendosën tritol në makinë, që shpërtheu pasi ai ishte larguar për të dërguar fëmijët në shkollë. Armando Gjini u arrestua me 12 Maj 2018 si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani.
Në kuadër të operacionit ‘Precizioni’, Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë dhe u sekuestruan 8 tonë drogë. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burgu.
Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që mori në Turqi si koka trafikut të heroinës dhe kokainës. Nga operacionet e zhvilluara më herët edhe në Itali, Greqi, Turqi e Shqipëri, bandës i janë sekuestruar mbi 8.4 tonë kanabis, me vlerë tregu 10 milionë euro./ABC News Albania 24/7