Meta e Berisha kanë prezantuar në Elbasan kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi. Kryetari i Partisë së Lirisë fjalën e tij e fokusoi te varfëria në këtë qytet, duke akuzuar për këtë qeverinë. Ai ftoi qytetarët e Elbasanit të votojnë Luçiano Boçin si lokomotivën e fitores për t’i thënë ndal shpopullimit.
“Nuk je sot vetëm përfaqësues i demokratëve, partisë së Lirisë dhe partive të tjera opozitare por je përfaqësues i opozitës qytetare elbasanase. Qarku i Elbasanit duhet t’i japë përgjigjen e merituar Rilindjes. Duhet të dalë 7 me 0 sepse Rilindja e katandisi qarkun e Elbasanit në të parafundit sa i takon nivelit të mirëqenies në Shqipëri dhe nën kampion sa i takon varfërisë.”, tha Meta.
Kandidati për kryetar i bashkisë e nisi çeljen zyrtare të fushatës elektorale për 14 majin me një premtim. U tha mbështetësve të tij se nuk do t’i gënjente kurrë. Edhe ai u ndal tek çështja e shpopullimit.
“Unë nuk pranoj t’ju gënjej sepse nuk pranoj t’ju fyej pasi ndershmëria është politika më e mirë. Së dyti, unë nuk do t’ju zhgënjej. Rama me bashkinë e tij po vazhdon eksperimentin e Hoxhës p[ër të krijuar këtu në Elbasan njeriun më të varfër të planetit. Elbasani duron shumë, por kur ta jep përgjigjen të lë pa fjalë.”
Në mbështetje të tij, Sali Berisha ftoi demokratët e Elbasanit që në 14 maj të votojnë për pranverën e re të demokracisë.
“Të votojmë ndryshimin me 14 maj sepse Shqipëria, Elbasani janë tokë e bekuar, është qytet i bekuar. Ky monizëm duhet të pësojë fatin e të parit. Ndaj dhe këto janë zgjedhjet e jetës tonë, nga 1992 e deri më sot, më të rëndësishme. Ju jeni misionarë të përmbysjes së monizmit dhe rivendosjes së pluralizmit.“, tha Berisha./abcnews.al