TIRANË- Në episodin e parë, Podcastit i moderuar nga kryeministri Edi Rama i titulluar “Flasim” kishte të ftuar specialë. Ata janë shtatë kampionët e sportit, të cilët u nderuan pak ditë më parë me grada honorifike dhe tashmë janë pjesë e Forcave të Armatosura.
Shefi i qeverisë nuk kurseu pyetjet serioze, batutat dhe “ngacmimet” për sportistët elitarë.
“Shtatë kampionë prej majave më të larta të sportit botëror, flasin në ditën e gradimit të tyre si kolonelë të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke ndarë momente të bukura e momente të zymta të ngjitjes së tyre drejt majës”, shkruan Rama.
Kampionet e Kosovës në xhudo, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë pjesë e Forcave të Armatosura, ndërsa peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, boksieri Alban Beqiri edhe atletja Luiza Gega do jenë tanimë me gradën “Kolonel”.
Ai theksoi se vlerësimi për sportistët do të jetë një lehtësi e madhe për ta, pasi nuk do të përfundojnë në situata varfërie, siç ka ndodhur në të kaluarën.
“Ka qenë një nga barrat shumë të rënda të problemeve dhe sekëlldive të harruara kjo e kampionëve që shkëlqejnë dhe më pas i përpin harresa dhe pasi lënë aktivitetin kthehen në njerëz të zakonshëm e pasi zbresin nga maja e Olimpit bien edhe në situata të papranueshme varfërie. Pensionin si kolonelë, nënkolonelë apo majorë në pension, për mua është lehtësim i madh pavarësisht se nuk kam qenë i niveleve që mund të krahasohem me ju”, u shpreh Rama./n.m.abcnews.al