Nëse mendoni se tatimet ju kanë kontrolluar njëherë dhe nuk kthehen sërish, e keni gabim. Çdo biznes sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve është nën monitorim në çdo kohë.
Nëse jeni në shkelje të ligjit shpëtim nuk do të gjeni as nga vendimi i gjykatës shpesh të padrejta sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë.
Me keq do t’ju ndodhe nëse hiqni vetë shiritin e bllokimit. Një fenomen ky që ministrja Denaj tregon se inspektorët e tatimeve po përballen së fundmi.
Në gati një muaj e gjysmë tatimet kanë kontrolluar 2995 biznese në të gjithë vendin ndër të cilët 1285 janë konstatuar me shkelje.
Po cilët jane shkelësit më të mëdhenj të ligjit?
“Në disa hotele dhe në disa klube nate pronarët kanë treguar sjellje jo të denje dhe qytetare e në këtë raste ne kemi lajmëruar policinë e shtetit“, tha Denaj.
Masat ndaj tyre pritet të përshkallëzohen sipas shkeljeve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do ti ketë gati ndryshimet ligjore brenda javës së parë të shtatorit./ABC News Albania 24/7