Vodhi mijëra llamarina, arrestohet ministrja e Ugandës

schedule21:35 - 6 Prill, 2023

schedule 21:35 - 6 Prill, 2023

Një ministre e kabinetit të Ugandës do ta kalojë Pashkën në burg pasi u akuzua për një skandal që përfshin vjedhjen e mijëra llamarinave të çatisë.

Ato ishin vendosur të dërgoheshin në komunitetet vulnerabël në rajonin verilindor të Karamojës.

Mary Goretti Kitutu Kimono, ministrja për rajonin, u deklarua e pafajshme në gjykatë, por iu mohua lirimi me kusht.

Të paktën 10 figura të tjera të larta të qeverisë supozohet se kanë marrë një pjesë të llamarinave të vjedhura.

Këto përfshijnë nënpresidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe ministra të tjerë, sipas inspektorit të përgjithshëm të qeverisë.

Disa prokurorë i thanë një komisioni parlamentar që të hetonte skandalin e korrupsionit, ku përfshiheshin 14,500 llamarina që mungonin.

Kryeministri ka kërkuar falje dhe u ka kërkuar zyrtarëve të tjerë që të kthejnë llamarinat. Kryetarja Anita Among tha se i kishte kthyer ato që kishte marrë.

Një ministër kohët e fundit u detyrua të hiqte disa nga llamarinat e kasolles së tij të dhive, raportuan mediat lokale.

Karamoja është përballur për dekada me thatësira të vazhdueshme dhe përmbytje kur bie shi, duke lënë shumë në rajonin gjysmë të thatë veri-lindor të varur nga ndihma.

“Jo e vërtetë”

Kitutu do të qëndrojë në paraburgim deri të mërkurën e ardhshme. Dyshohet se në vend që t’u shpërndante materialet e çatisë komuniteteve Karamoja, ajo ua jepte të afërmve dhe zyrtarëve të saj.

“E kam kuptuar akuzën dhe nuk është e vërtetë”, u përgjigj ajo në gjykatë.

Ajo është akuzuar së bashku me vëllain e saj, Michael Naboya Kitutu, i cili u deklarua i pafajshëm për marrjen e 100 llamarinave.

Avokati i saj kishte aplikuar për lirim me kusht, me argumentin se ajo ishte një e moshuar e profilit të lartë dhe kishte komplikime mjekësore.

Por prokuroria vendosi që ajo të qëndroj në paraburgim, pasi Kitutu kishte penguar nënën e saj, në shtëpinë e së cilës u gjetën disa llamarina, të dëshmonte në polici.

Kunata, mbesa dhe nusja e saj, që dyshohet se janë përfshirë në këtë skandal, janë në arrati.

Kitutu u bë e njohur si një shkencëtare mjedisore dhe u përfshi në hartimin e rajonit të saj në malin Elgon, i cili është i prirur për rrëshqitje të dheut.

Ajo u bë deputete në vitin 2016 dhe ka mbajtur poste të tjera në kabinet, duke përfshirë portofolin e energjisë dhe mineraleve.

Skandalet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të profilit të lartë të qeverisë janë të zakonshme, por është e rrallë që ata të japin dorëheqjen ose të shkarkohen.

Ministri i Komunikimit Chris Baryomunsi tha se çdo vendim për të ardhmen e Kitutu do të merret pasi të kenë përfunduar hetimet e policisë.

“Pavarësisht se kush jeni, ju duhet të përballeni me ligjin”, tha ai.

Presidenti Yoweri Museveni ka bërë thirrje për ndjekjen penale të të gjithë të përfshirëve.

Asnjë zyrtar tjetër nuk është akuzuar ende për skandalin.

Kritikët janë ankuar më parë se vetëm figura të rangut të ulët ndiqen penalisht pas hetimeve për korrupsion. /abcnews.al