Manchester City ka hyrë në fazën më të nxehtë të sezonit. Në njërin krah është Premier League, me “qytetarët” që ende kanë mundësi për të siguruar vendin e parë, në krahun tjetë është Champions League, me “veshllapushen” që është trofeu i vetëm që i mungon teknikut Pep Guardiola, për të mos harruar faktin që është ende në gjysmë-finalen e Kupës së Anglisë, FA Cup.
Për “shpresat” që Manchester City ka për të fituar tripletën këtë sezon ka folur edhe portieri Ederson, ku tha se skuadra është e aftë të garojë për fitore në Premier League , Champions League dhe FA Cup.
“Unë mund ta quaj këtë sezon të mirë si për veten time ashtu edhe për ekipin. Ne jemi ende duke marrë pjesë në tre gara, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne jemi ende të aftë të fitojmë secilën prej tyre.
Në Premier League jemi prapa Arsenalit, por kemi një lojë përpara nesh kundër tyre në shtëpi, kështu që ne jemi ende në garë. Në Champions League kemi një lojë shumë të vështirë kundër Bayern Munich, një skuadër e madhe me përvojë në garat evropiane. Në FA Cup kemi përballë Sheffield United që po bën një sezon shumë të mirë në Championships.
Por ne vazhdojmë të marrim pjesë në të gjitha këto gara dhe ekipi po ecën mirë. E nisëm mirë sezonin, më pas pati një rënie të lehtë, por tani duket se jemi kthyer në formën tonë më të mirë dhe nëse vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit, mendoj se kemi shanse të mira në të gjitha garat”,- është shprehur Ederson në fjalën e tij. /i.m /abcnews.al

