Amsterdami ndalon fluturimet natën dhe avionët privatë

schedule14:50 - 6 Prill, 2023

schedule 14:50 - 6 Prill, 2023

Në një përpjekje për të reduktuar emetimet e karbonit, si dhe ndotjen e zhurmës, aeroporti më i madh i Evropës për nga numri i ngritjeve dhe uljeve, Schiphol i Amsterdamit, njoftoi të martën se planifikon të ndalojë fluturimet e natës dhe avionët privatë.

Konkretisht, siç është paralajmëruar, aeroporti do të ndalojë ngritjet e avionëve nga mesnata deri në orën 06:00, si dhe uljet nga mesnata deri në 5:00 të mëngjesit. Ndryshimet pritet të zbatohen nga viti 2025-26 dhe me zbatimin e politikës së re do të ketë 10 mijë fluturime më pak në vit.

Siç tha shefi ekzekutiv i aeroportit, Ruud Sondag: “E vetmja rrugë që mund të marrim është të bëhemi më të qetë dhe më të pastër. Për një kohë të gjatë ne menduam vetëm për rritjen dhe i kushtuam pak vëmendje çmimit që do të paguanim.”

Avionët privatë do të ndalohen sepse shkaktojnë “ndotje joproporcionale akustike dhe emetim C02 për pasagjer“. Krahasuar me një fluturim të rregullt, fluturimet me avion privat prodhojnë 20 herë më shumë C02, sipas menaxhmentit të aeroportit.

Duhet të theksohet se linjat ajrore të mëdha si KLM, Delta dhe EasyJet njoftuan në mars se synojnë të ndërmarrin veprime ligjore mbi kufirin e fluturimeve.

Nëntorin e kaluar, policia holandeze arrestoi një turmë aktivistësh të klimës që pushtuan pistën e aeroportit dhe u ulën përpara avionëve privatë për t’i parandaluar ata të ngriheshin. Holanda kishte njoftuar tashmë se do të shkurtonte fluturimet për dhe nga Schiphol në 440,000 në vit deri në vitin 2024, nga rreth 500,000 para goditjes së pandemisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!