Të kesh mace dhe qen në shtëpi mund të zvogëlojë rrezikun e alergjive ushqimore tek fëmijët, sipas një studimi të ri, por ka disa variabla që kanë nevojë për shqyrtim të mëtejshëm, thonë alergologët.
Shkencëtarët nga Shkolla Mjekësore e Fukushimës analizuan të dhënat e mijëra fëmijëve të lindur në Japoni midis 2011 dhe 2014, duke parë lidhjen statistikore të të pasurit kafshë shtëpiake me shfaqjen e alergjive ushqimore tek fëmijët.
Hisao Okabe dhe kolegët u fokusuan në familjet që kishin kafshë shtëpiake përpara dhe menjëherë pas lindjes së një fëmije, dhe në alergjitë ushqimore që shfaqën fëmijët në tre vitet e para të jetës. Studiuesit publikuan rezultatet në revistën shkencore Plus One.
Nga 66,000 rastet që ata shikuan, 22% kishin lindur në një familje me një kafshë shtëpiake dhe për këtë arsye ishin ekspozuar ndaj mikrobeve dhe alergjenëve të mundshëm të lidhur me kafshën shtëpiake.
Siç zbuloi ekipi shkencor, fëmijët që u rritën në një shtëpi me një qen shfaqën alergji të lidhura me vezët, qumështin dhe frutat e thata në një shkallë më të ulët se mesatarja e popullsisë së përgjithshme. Ata të mitur që ishin rritur me mace duket se kanë një organizëm më tolerant ndaj vezëve, grurit dhe sojës.
Ka variabla që shkaktojnë paqartësi. Studiuesit theksojnë se familjet me kafshë shtëpiake kanë më shumë gjasa të jetojnë pranë burimeve të tjera të faktorëve stimulues imun. Dhe, siç tha Dr. Thomas Marsh, një alergolog pediatrik në Kings College London, familjet e prirura ndaj alergjive kanë më pak gjasa të kenë kafshë shtëpiake. Këto fakte, dhe jo prania e kafshëve shoqëruese, mund të shpjegojnë, të paktën pjesërisht, rezultatet.
Do të nevojiten studime të mëtejshme për të konfirmuar ose hedhur poshtë kërkimet më të fundit japoneze.

