Nga Sarah Smith, BBC
Donald Trump ka jetuar gjithë jetën sikur po përpiqet të provojë teorinë se i gjithë publiciteti është në fakt diçka pozitive. Dalja e tij në gjykatë të martën si i pandehur për krime do të testojë pikërisht këtë klishe.
Ky rast sigurisht që e ka vënë sërish në qendër të vëmendjes. Udhëtimi i tij nga Mar-a-Lago, shtëpia e tij në Florida, në Nju Jork u transmetua drejtpërdrejt në disa stacione televizive amerikane. Ai me sa duket ka diskutuar me këshilltarët se si duhet të paraqitet gjatë gjithë procesit gjyqësor, duke buzëqeshur apo duke qëndruar serioz.
Duam apo s’duam kjo datë gjyqi është gjithashtu një ngjarje e fushatës zgjedhore. Pyetja kryesore është nëse Trump mund ta kthejë me të vërtetë një ndjekje penale në një pasuri falë fushatës elektorale.
Që nga shpallja e aktakuzës kundër tij javën e kaluar, ai ka mbledhur më shumë se 8 milionë dollarë.
Ajo që është veçanërisht interesante është të shikosh mënyrën në të cilën kundërshtarët politikë të Trump brenda partisë republikane janë ndjerë të detyruar të dalin në mbrojtje të tij.
Ish-zëvendëspresidenti i Trump, Mike Pence tha se aktakuza dërgon një “mesazh të tmerrshëm” për botën për drejtësinë amerikane. Ata padyshim besojnë se kjo është ajo që votuesit e tyre duan të dëgjojnë.
Pra, ndoshta Trump mund të përdorë një gjyq penal në avantazhin e tij gjatë zgjedhjeve paraprake kur janë republikanët besnikë ata që votojnë. Por e njëjta taktikë mund të dështojë kur bëhet fjalë për zgjedhjet e përgjithshme.
Në të gjithë SHBA-në, nga Georgia në Wisconsin, kam folur me shumë të pavarur dhe votues të fuqishëm, të cilët thonë se ndërsa u pëlqenin politikat e Trump kur ai ishte në detyrë, tani janë të lodhur nga kaosi dhe drama që e rrethon.
Duke e kthyer një ndjekje penale në një spektakël politik, ai rrezikon të largojë vetë votuesit që do t’i duheshin për të rifituar Shtëpinë e Bardhë në nëntor 2024.
John McGuigan është një mbështetës i zëshëm i Trump, të cilin e takova jashtë Trump Tower në Manhattan të hënën. Ai më tha se mendon se kjo çështje gjyqësore do të ndihmojë fushatën presidenciale Trump.
“Ata që tashmë janë të bindur se Donald Trump është djalli i mishëruar nuk do të ndikohen nga rezultati, as mbështetësit e vendosur të Trumpit”, tha ai.
Por, mendon ai, “për ata votues që janë në mëdyshje, kjo mund të përfundojë të jetë më shumë një aset sesa një dëm për fushatën e Trumpit 2024”.
/abcnews.al