Policia e Nju Jorkut ka ngritur gardhe metalike rreth Kullës Trump dhe ka bllokuar rrugët përreth gjykatës në Manhattan, ku ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump është planifikuar të paraqitet të martën për t’u përballur me akuzat.
Pas vendimit javën e kaluar, Trump u bë ish-presidenti i parë amerikan që u padit për krime. Rasti përfshin pagesën e yllit porno Stormy Daniels me 130,000 dollarë për të mbajtur të fshehtëmarrëdhënien e tyre gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës.
Vetë republikani, i cili kandidon për rizgjedhje në vitin 2024, e ka cilësuar një ndjekje politike” dhe një “gjueti shtrigash”, duke përsëritur se është i pafajshëm. Trump pritet të mbërrijë në Nju Jork nga Florida sot dhe të kalojë natën në Trump Toëer para se të dalë nesër në gjykatë.
Joe Tacopina , një nga avokatët e tij, tha se pret më shumë informacion sot për procesin që do të ndiqet të martën, ndërsa shtoi se Shërbimi Sekret që mbron presidentin aktual si dhe ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, do të ketë nje rol të rëndësishëm.
Në të njëjtën kohë, Tacopina theksoi se avokatët e Trump do t’i shqyrtojnë plotësisht akuzat ndaj tij, kur të bëhen të ditura.
“Unë sinqerisht nuk e di se si do të shkojë procesi, shpresojmë sa më mirë që të jetë e mundur dhe më pas do të fillojmë betejën për të korrigjuar këtë gabim,” tha Tacopina për CNN.
Disa përdorues të mediave sociale kanë bërë thirrje për ekzekutimin e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut, Alvin Bragg dhe anëtarëve të jurisë së madhe që paditën Trumpin , sipas Site Intelligence Group.
Pasi ish-presidenti pretendoi në mënyrë të rreme fitoren në zgjedhjet e 2020, mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021. Por shumë nga mbështetësit e tij tani janë shprehur të lodhur me protestat, gjithashtu të shqetësuar se do të arrestohen.
Ndërsa çështja e aktakuzave ndaj një ish-presidenti pritet të tërheqë vëmendjen e mediave, nuk dihet nëse do të tërheqë një numër të madh protestuesish. Trump është nga Nju Jorku, por ai nuk fitoi shumë vota atje: vetëm 23% e njujorkezëve votuan për të në 2020 dhe 18% në 2016.
Një zyrtar i gjykatës tha se Trump është planifikuar të dalë para një gjyqtari në orën 14:14 të martën. Më pas ai do të kthehet në Florida dhe pritet të bëjë deklarata nga Mar-a- Lago në orën 20:15.
/abcnews.al