Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj ka folur për herë të parë për memorialin e viktimave të grushtit të shtetit në Turqi, të vendosur pak ditë më parë në Tiranë. Për kryebashkiakun e Tiranës asnjë tradhti nuk ka me vendosjen e një pllake që do të kujtojë viktimat në Turqi, duke kujtuar se të tilla vende përkujtimore janë rreth 50 në kodrat e Liqenit të Tiranës. Veliaj i ka bërë thirrje të gjithë zërave që janë shprehur kundër vendosjes së këtij memoriali të fokusohen më shumë te gjërat që bashkojnë sesa te ato që na ndajnë.
Asnjë tradhti nuk ka ndodhur me vendosjen e një memoriali që do të kujtojë e grushtit te shtetit në 15 Korrik të 2016 në Turqi. Ky ka qenë qëndrimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pas debateve të shumta që shoqëruan vendosjen e pllakës me emrat e 251 viktimave që humbën jetën gjatë përplasjeve me armë.
Ceremonia që u mbajt larg vëmendjes së kamerave, u zhvillua pak ditë më parë në kodrat e Liqenit Artificial dhe në të morën pjesë zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës por edhe qytetarë dhe shtetas turk. Në rrjetet sociale ka pasur reagime të shumta lidhur me arsyen e vendosjes së këtij memoriali, por për kryebashkiakun Veliaj pllaka me emrat e viktimave nuk i prish punë askujt.
Duke mohuar të ketë qenë në vendin ku është vendosur memoriali, në ditën e Kurban Bajramit, Veliaj kërkoi që fokusi të jetë te gjërat që bashkojnë dhe jo tek ato që na ndajnë.
Në 15 Korrik të vitit 2016 një grup ushtarakësh turq tentuan organizimin e një grushti shteti në Turqi kundër presidentit Rexhep Taip Erdogan. Pasi dolën nga kazermat e tyre, për disa orë ushtarakët morën nën kontroll disa institucione dhe dy aeroportet kryesore në vend. Por pas reagimit të qeverisë, institucionet u vendosën nën kontroll, ndërkohë që 251 persona mbetën të vdekur si pasojë e kësaj përplasjeje./ABC News Albania 24/7