Kontabilistët janë më të rrezikuar nga aftësitë e reja të AI, sipas një studimi të ri. Studiuesit zbuluan se të paktën gjysma e detyrave të kontabilitetit mund të kryheshin shumë më shpejt me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Sipas studimit të Universitetit të Pensilvanisë, e njëjta gjë është e vërtetë për matematikanët, interpretuesit, shkrimtarët dhe përgjithësisht pothuajse 20% të fuqisë punëtore në SHBA.
Sipas raportit, aplikacionet që kanë GPT të integruar janë më të përshtatshme për detyra të tilla si përkthimi, klasifikimi, shkrimi krijues dhe gjenerimi i kodit kompjuterik.
Profesione të tjera që konsiderohen të “ekspozuara” janë specialistët e marrëdhënieve me publikun, reporterët e gjykatave, si dhe ata të specializuar në teknologjinë Blockchain.
Profesionet që do të preken më pak
Nga ana tjetër, punët që do të preken më pak nga teknologjia janë kuzhinierët, mekanikët e motoçikletave dhe punëtorët e kompanive të naftës dhe gazit.
Studiuesit nuk parashikuan nëse vendet e punës do të humbeshin në të vërtetë, tha Matt Bean, një profesor asistent në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, i cili studion ndikimin e teknologjisë në tregun e punës.
“Nuk ka asnjë parashikim të saktë në raport se çfarë do të ndryshojë dhe kur në mjedisin e punës”, shtoi ai.
Bean theksoi se sfida e vërtetë qëndron tek kompanitë, shkollat dhe politikëbërësit, të cilët në të ardhmen do të duhet të ndihmojnë njerëzit të përshtaten.
Megjithatë, studime të tjera të fundit kanë zbuluar se AI mund të kursejë kohë të konsiderueshme dhe të prodhojë rezultate më të mira se njerëzit.
Në një eksperiment të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, i cili u fokusua në profesionistë të arsimuar në kolegj, studiuesit u ndanë në dy grupe.
Në njërën, punonjësit në tregti, në fushën e burimeve njerëzore, punonin pa ndihmën e ChatGPT dhe në tjetrën e përdornin atë. Të dy grupet duhej të dorëzonin një detyrë specifike me shkrim për të njëjtën temë.
Në fund të fundit, ata që kishin akses në ChatGPT përfunduan detyrat e tyre 10 minuta më shpejt. Lexuesit e jashtëm që vlerësuan cilësinë e këtyre detyrave thanë se punëtorët e ndihmuar nga AI dolën më mirë se grupi tjetër.