Ish-prokurorja speciale në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva ka deklaruar të premten se zëri që dëgjohet në përgjimet mbi rastin “Zhvatja” është i saji, por është keqpërdorur. Përmes një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë Speciale, Janeva është shprehur e tronditur se si zëri i saj është përdorur për këtë çështje. Ajo ka nënvizuar se si prokurore ka patur gjithmonë detyrimin të kontaktojë me të gjithë të dyshuarit, në bazë të procedurave penale që ndiqen nga prokuroria publike. “Kam biseduar për rritjen e shkallës së bashkëpunimit me të dyshuarit, për të zbuluar dëshmi të reja në favor të hetimeve, por në asnjë rast nuk jam angazhuar për ndonjë ndikim. Asnjëherë nuk e kam keqpërdorur funksionin tim dhe nuk kam vepruar në kundërshtim me ligjin”, ka nënvizuar Janeva. Ajo u ka bërë thirrje organeve hetimore që të përfundojnë sa më shpejt hetimet mbi rastin “Zhvatja”, me qëllim që të zbardhet e vërteta./ABC News Albania 24/7