Policia ofron 100 mijë euro për këdo që ka infomacione, në lidhje me vrasjen e ndodhur pak pas mesnate në godinën e Top Channel, ku mbeti i vrarë roja, 61 vjeçari, Pal Kola. Në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit ka zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, ku disa persona të cilët qëndronin në një automjet tip Range Rover, kanë qëlluar me armë automatik drejt godinës së Top Channel. Më pas ata janë larguar me shpejtësi nëpërmjet rrugës dytësore të autostradës Tiranë – Durrës prej të cilës kishin ardhur.
Vetëm 25 minuta mbas ngjarjes së ndodhur në Top Channel, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.
Ky mjet “Range Rover Sport” së bashku me dy armë zjarri kallashnikov që u gjendën brenda tij sipas policisë, i përkasin autorëve të kësaj ngjarje. Makina mësohet se është vjedhur më datë 10 korrik 2020, në fshatin Tale të Lezhës një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31 dhjetor 2022, në qytetin e Tiranës.
Ndërkohë ditën kur ndodhi atentati Policia e Vlorës ka shoqëruar ish dhëndrin e Pal Kolës, rojës që mbeti i vrarë. Roberto Papçi ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Bashkë me ish dhëndrin, u shoqërua edhe shoku i tij, Agustin Tonaj. Edhe ky i fundit ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen. Të dy u lanë të lirë./abcnews.al