U zhduk për disa muaj, themeluesi i Alibaba Jack Ma rishfaqet në Kinë

schedule16:55 - 27 Mars, 2023

schedule 16:55 - 27 Mars, 2023

Themeluesi i Alibaba, Jack Ma, i cili ka qenë në pauzë prej muajsh pas goditjes së qeverisë kineze ndaj sektorit të teknologjisë, bëri një paraqitje publike në një shkollë në Kinën lindore.

Ma vizitoi qytetin e Hangzhou ku është selia e Alibaba. Një postim në rrjetet sociale e tregon atë duke vizituar shkollën, e cila sponsorizohet nga kompania.

Autoritetet në Kinë, ndoshta si hakmarrje, kishin forcuar kontrollin mbi biznesin e Ma për shkak të komenteve që ai bëri.

Besohet se që nga fundi i vitit 2021, Ma ka qenë jashtë Kinës për më shumë se një vit. Financial Times kishte raportuar se ai jeton në Tokio, ndërsa është fotografuar në Tajlandë dhe Australi.

Kthimi i tij në Kinë, raporton Guardian, mund të jetë një shenjë se presioni i qeverisë ndaj kompanive është lehtësuar dhe se ajo po adopton një qëndrim më miqësor ndaj biznesit.

Alibaba është një nga kompanitë më të mëdha në Kinë dhe një nga të paktat që konkurron në madhësi me kompanitë amerikane të teknologjisë. Qeveria kineze zotëron aksione në Alibaba dhe rivalin e saj Tencent.

Ma, i cili ishte mësues i anglishtes përpara se të themelonte kompaninë e tij, vlerësohet nga Forbes të ketë një pasuri prej 33 miliardë dollarësh.