Partitë politike në Kosovë vazhdojnë të dorëzojnë firmat e deputetëve të tyre për shkrirjen e parlamentit, me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se është gati në çdo moment për zhvillimin e procesit elektoral.
Partitë politike janë duke dorëzuar nënshkrimet për seancën e thirrur për shpërbërjen e parlamentit. Partia Socialdemokrate sot dorëzoi nënshkrimet e 12 deputetëve të saj për seancën e 22 Gushtit.
Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, deklaroi se zgjedhjet janë rruga përpara dhe në zgjedhje zgjidhja që duhet ofruar është programore. Ndërsa para dy ditësh edhe Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar nënshkrimet e 19 deputetëve të saj.
Ndërsa Këshilli Drejtues i LDK-së ka diskutuar për përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Derisa kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se janë të përgatitur dhe të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme kurdo që vendoset të mbahen ato.
Valdete Daka, kryetare e KQZ-së: “Ne jemi të gatshëm që kurdoqoftë ato të shpallen, t’i organizojmë”.
Në mbledhjen e sotme KQZ-ja ka marrë vendim në mbledhjen e radhës që të miratojë kërkesën e tri partive politike për regjistrim./ABC News Albania 24/7