Çështja e njohur me emrin “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar në mediat italiane. Gazeta “La Verita” ka publikuar në edicionin e saj online videon e një ryshfeti prej 1.5 milion euro që një biznesmen paguan për të fituar lirinë.
Laris Gaiser, nëpërmjet gazetës italiane “La Verita” publikoi një video, ku shihet se si Bojan Jovanovski, nga shtëpia e biznesmenit Orce Kamçev largohet me siç thuhet, 1.5 milion euro në kesh. Këto para, pretendohet se ia siguruan lirinë më vonë, Kamçevit, i cili është viktima kryesore në rastin “Zhvatja”. Siç shihet në video, më 20 shkurt, Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski i kanë marrë paratë nga familja Kamçev. E më pas, video e publikuar përmban edhe audio xhirim, ku Bojan Jovanovski i thotë njërit prej familjes Kamçev se të hënën do të jenë të lirë.
– Të hënë do të jeni të lirë! Më së voni deri të martën.
– Por nuk mund të vijë lënda deri të hënë në Gjykatë Supreme!?
– Po do të arrijë. Prokuroria Speciale nuk do të përdor masa të jashtëzakonshme juridike, nuk do të ndërmarrin asgjë.
– E apeli?
– Apeli do t’ju refuzojë, pasi të ankoheni. Ju duhet të jeni të përgatitur. Pastaj ankoheni në shkallën e dytë në Supreme. Këshilli do të përgjigjet automatikisht. Katica nuk do të përdor asnjë masë juridike që ta zvarritë momentin. Të hënën ose të martën ti je i lirë.
Edhe ashtu ndodhi! Më katër mars të këtij viti, të hënën, Kamçev iu anulua edhe burgi shtëpiak dhe ishte i lirë. Pasi u hap rasti, nga Prokuroria Speciale dolën me pres konferencë, e prokurorja e rastit, Lile Stefanovska, tha që çdo vendim e ka nënshkruar Katica Janeva, sepse ligji për Prokurorinë Speciale ashtu thotë. Ajo shtoi se nuk ka qenë në dijeni për këtë që ka ndodhur me Kamçevin në rastin “Perandoria”.
Tentuam të kontaktojmë edhe me gazetarin që e ka publikuar videon, por ai nuk deshi të prononcohet. Paralajmëroi se do të ketë edhe video tjera, kurse tha që këtë po e bën për hir të së vërtetës. E nëse e hap faqen e “Facebook” të gazetës “La Verita”, çdo i dyti publikim ka të bëjë me Matteo Salvinin dhe Boris Johnsonin. Në ditët e fundit, gazeta ka shkruar edhe për besimin e dobët të Italianëve në Bashkimin Evropian, kurse temë që fiton shumë vëmendje nga kjo gazetë është edhe Brexiti./ABC News Albania 24/7