Ditën e sotme do të zhvillohen dhe 8 sfida të tjera të fazës kualifikuese të Kampionatit evropian të futbollit, Euro 2024, ku ndër më të spikaturat është sfida mes Anglisë dhe Ukrainës, sfidë e cila do të zhvillohet në mitikun anglez të “Wembley”-t e do të startojë në orën 18:00.
Sfida hapëse e ditës së sotme do të jetë përplasja e grupit H, Kazakistan-Danimarkë, me “vikingët” danezë të cilët të udhëhequr nga “bomberi” Rasmus Hojlund do të kërkojnë 3 pikët e radhës në tokën kazake, me vendasit që premtojnë vetëm “luftë” në “shtëpi”.
Më pas në orën 18:00 përveç sfidës Angli-Ukrainë do të zhvillohen dhe 2 sfida të tjera, ku më konkretisht Lihtenshtejni do të presë në “shtëpi” Islandën, në kuadër të grupit J të kualifikueseve, ndërsa në Sllovenia ka shansin e artë për të arritur në kuotën e 6 pikëve, teksa do të presë në “shtëpi” San Marinon.
Ndërkaq, në mbrëmje, në orën 20:45 do të zhvillohet dhe 4 sfidat mbyllëse të ditës së sotme, ku më konkretisht, Portugalia e Cristiano Ronaldos do të udhëtojë drejt Luksemburgut, Irlanda e Veriut do të presë në “shtëpi” Finlandën, Sllovakia do të përplasët me Bosnje Hercegovinën, ndërsa Italia do të kërkojë me ngulm fitoren përballë “diletantëve” të Maltës. /i.m /abcnews.al