Trump pritet me protesta: Racist, kthehu në shtëpi!

schedule10:00 - 8 Gusht, 2019

schedule 10:00 - 8 Gusht, 2019

Ka vizituar El Pason dhe Dejtonin për t’u treguar të mbijetuarve të dy vrasjeve në masë se si president është pranë tyre, por Donald Trump është pritur me protesta në të dyja qytetet. Ai është etiketuar si racist dhe manifestuesit i kanë bërë thirrje që të kthehet në shtëpi.

Presidenti amerikan Donald Trump ka vizituar dy qytetet që po marrin veten pas të shtënave në masë, por vizitat hasën në protesta dhe përplasje me politikanët lokalë. Trump bëri thirrje për unitet pas ngjarjeve në Teksas dhe Ohajo dhe e kaloi të mërkurën duke u takuar me të mbijetuarit dhe skuadrat e emergjencës që iu përgjigjën kërcënimit. Por kritikat mbi retorikën e tij dhe mungesën e veprimit për kontrollin e armëve nuk kaluan pa u përmendur. Në El Paso të Teksasit, disa manifestues ngritën parulla ku thuhej “Racist, kthehu në shtëpi”.

Parulla të ngjashme u verifikuan edhe në qytetin tjetër që ai vizitoi, Dejton, ku megjithatë pati edhe mbështetës të presidentit që mbushën rrugët. Në total 31 persona mbetën të vrarë në dy sulmet, të cilat ndodhën fundjavën e kaluar pak orë në distancë njëri nga tjetri.

Trump dhe bashkëshortja e tij Melania u pritën në aeroport nga guvernatori i Teksasit, Greg Ebot dhe kryebashkiaku i El Pasos, Di’ Margo përpara se të largoheshin.

Çifti presidencial kaloi më shumë se një orë në qendrën mjekësore universitare të qytetit, duke folur me stafin dhe të mbijetuarit, përpara se të udhëtonte për në qendrën e operacioneve të emergjencës. Disa protestues përgjatë rrugës ngritën pllakate me shkrimin “Kthehu në shtëpi. Ti nuk je i mirëpritur këtu!”, ose “Trump urren. Racizmi nuk është i mirëpritur”.

Kongresmenia demokrate, që përfaqëson El Pason, Veronika Eskobar refuzoi të takohej me të duke thënë se fjalët dhe veprimet raciste të presidentit kanë shkaktuar dhimbje në komunitet dhe në vendin e saj. Ajo dhe aspiranti për kandidat presidencial Bet Ou Rurk, lindur në El Paso, morën pjesë në një manifestim kundër kreut të shtetit, i cili sipas tyre përgojon emigrantët.

Ndërkohë, pasi u takua me kryebashkiaken e Dejtonit Nen Uejlli në një bazë ajrore lokale, çifti presidencial udhëtoi drejt spitalit për t’u takuar me të mbijetuarit, punonjësit e emergjencës dhe stafin e spitalit. “Zoti ishte me ju. Dua që ta dini se edhe ne jemi me ju gjatë gjithë kohës”, u tha presidenti të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre. Por jashtë spitalit protestuesit ngritën në ajër balonën “bejbi Trump” dhe duke iu drejtuar presidentit përdorën parulla të tipit “Bëj diçka”, “Shpëto qytetin tonë”, ose “Ti je problemi”./ABC News Albania 24/7