Kina, sfida e re e NATO-s

schedule12:30 - 7 Gusht, 2019

schedule 12:30 - 7 Gusht, 2019

Krahas Rusisë dhe ISIS, një tjetër sfidë komplekse po paraqitet për NATO-n. Rritja e influencës ekonomike dhe ushtarake të Kinës ka shqetësuar Organizatën e Atlantikut të Veriut, aq sa sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg po kërkon aleanca në Azinë e Paqësorit.

NATO duhet të kuptojë se fuqizimi i Kinës dhe shtrirja e influencës së saj nëpër botë mund të kthehet shumë shpejt në një sfidë për vendet anëtare të organizatës. Deklarata është bërë nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili ka theksuar se intensifikimi i rolit të Pekinit, sidomos në detin e Kinës së Jugut, ngre shqetësime mbi qëllimet reale të tij. “Kjo nuk do të thotë se ne duhet të zhvendosim forcat e NATO-s në Paqësor, por ka të bëjë me përgjigjen tonë ndaj faktit se Kina po afrohet tek ne”, ka thënë Stoltenberg në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Ai ka theksuar se, investimet e Kinës në Europë, rritja e pranisë së saj në Arktik dhe Afrikë, si dhe në hapësirën kibernetike përbën një shqetësim serioz. “Kjo situatë e bën të domosdoshme që NATO t’i përgjigjet rritjes së Kinës dhe në këtë aspekt duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë si Australia, Zelanda e Re, por edhe Japoninë e Korenë e Jugut”, ka thënë Stoltenberg, i intervistuar gjatë një vizite në Australi.

Pekini zyrtar ka deklaruar disa herë se zhvillimi i tij ekonomik dhe ushtarak nuk përbëjnë rrezik për vendet e tjera. Sidoqoftë, tensionet me Perëndimin janë ngritur, të ndikuara edhe nga lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara. Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper deklaroi se administrata amerikane po shqyrton vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në rajonin e Azisë së Paqësorit./ABC News Albania 24/7