Qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë po zhvillojnë në Pogradec mbledhjen e parë të përbashkët, ku Kryeministri Rama priti me një ceremoni zyrtare homologun e tij maqedonas, Zaev. Në fund të mbledhjes së qeverive, dy kryeministrat do mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Sipas njoftimit të qeverisë shqiptare, në fokus të bisedimeve është përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Me këtë rast, do të nënshkruhen disa marrëveshje të përbashkëta e memorandume, si plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Gjithashtu, një tjetër memorandum që do të nënshkruhet është dhe ai për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë, një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh. Nesër dy Kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, një zonë e banuar nga minoriteti maqedonas në qarkun e Korçës. Aty do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për nxënësit e një shkolle./abcnews.al
Pogradec, mbledhje e përbashket e qeverisë shqiptare e asaj maqedonase
schedule15:04 - 15 Dhjetor, 2017
schedule 15:04 - 15 Dhjetor, 2017