Mungesa e reshjeve të shiut dhe temperaturat e larta kanë ndikuar ndjeshëm në liqenin e Fierzës. Aktualisht niveli i ujit ka rënë në kuotën 285 metra mbi nivelin e detit.
Liqeni i Fierzës po lë bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij.
Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta që kanë mbërthyer rajonin po pakësojnë ndjeshëm prurjet e lumenjve që furnizojnë ujëmbledhësin më të madh në vend.
Vetëm 40 metër kub ujë në sekonde janë prurjet që raportohen nga salla operative e Fierzës kurse kuota ka zbritur në 285 metra mbi nivelin e detit nga 296.5 e kuotës maksimale. Të njëjtat burime bëjnë me dije se hidrocentrali i Fierzës punon me tre turbina, me qellim uljen e deficitit të krijuar mes sasisë së importuar dhe kërkesave për konsum.
Parashikimet e meteorologëve nuk flasin aspak në favor të KESH pasi edhe pjesa e mbetur e Gushtit nuk do të ketë reshje, duke detyruar këtë te fundit që të rrisë sasinë e blerjes së energjisë për të mbuluar kërkesat e tregut./ABC News Albania 24/7