Ekskluzive/ Kurti e Vuçiç, kërcënimi final. ABC News siguron dokumentin ‘non paper’

schedule15:45 - 17 Mars, 2023

schedule 15:45 - 17 Mars, 2023

Te shtunën në Ohër Kurti dhe Vuçiç nuk do të përballen vetëm, me të shkuarën, por edhe më të ardhmen e dy vendeve që drejtojnë. Bashkimi Europian, shtetet e bashkuara dhe nato kane vendosur te flasin me një zë të përbashkët, sa i përket pritshmërive, por edhe padurimit të perëndimit për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit Kosovë Serbi, i cili rrezikon të ndjellë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndikimin rus, të bllokojë integrimin dhe të rrezikojë sigurinë e BE, ku shumica e vendeve anëtare, janë edhe anëtarë të NATO-s.

ABC News ka në dorë një dokument non paper, i cili u është vënë në tavolinë, Aleksander Vuçiçc dhe Albin Kurtit. Dokumenti është pa kokë, pa firmë dhe pa vulë, një praktikë e zakonshme e përdorur nga diplomacia amerikane, si një armë e fundit për të detyruar palët për të pranuar një marrëveshje, duke paralajmëruar edhe pasojat serioze në rastin e refuzimit. Ky dokument non paper, i mbështetur nga SHBA dhe Bashkimi Europian, ka paralajmërimin më serioz për të dyja vendet, nëse nuk firmosin të shtunën marrëveshjen e rënë dakort, dhe që sic thotë dokumenti, nuk është me i negociueshëm:

“Në një kohë kur Rusia teston vendosmërinë perëndimore në Ukrainë, në një kohë kur Kina arrin të ndërmjetësojë një marrëveshje historike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, duke u imponuar fuqishëm si një lojtar botëror i aftë për të ofruar, komuniteti perëndimor nuk e ka luksin e dështimit në Ballkanin Perëndimor, oborri i shtëpisë së BE-së dhe NATO-s. Marrëveshja Themelore është një kompromis i vërtetë i brendshëm i BE-së i pranueshëm për shtetet anëtare njohëse dhe jo-njohëse. Edhe Serbia dhe Kosova duhet ta përqafojnë atë.”

Uniteti i BE-së kufizon opsionet e Serbisë dhe Kosovës:
1. Pranojnë Marrëveshjen dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre me BE-në 27.
2. Refuzoni marrëveshjen. Pezulloni rrugën e integrimit në BE dhe hidhni tutje të gjitha proceset dhe
përfitimet e lidhura. Së shpejti do të pasojë izolimi dhe trazirat e brendshme.

Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në përpjekjet e BE-së/Perëndimit për ndërtimin e paqes dhe stabilizimin. Dokumenti kërcënues ndaj Serbisë, e lë atë përballë alternativës që Kosova të ecë pa asnjë pengesë, nëse Beogradi nuk firmos, duke sjellë dhe njohjen e njëanshme edhe nga 5 vendet që deri tani, nuk njohin Kosovën, edhe për shkak të pritjes që Serbia e para të normalizojë raportet me të. Sic janë Greqia, Slovakia apo Rumania.

“Nuk ka rrugëdalje. Dështimi i Serbisë për të harmonizuar pozicionin e saj me BE-në do të krijojë një mundësi që Kosova të rritet pa pasur nevojë të punojë me Beogradin. Serbia nuk ka veto për unitetin BE/NATO. Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe pesë mosnjohësit. Pavarësisht nga rezultati, BE/NATO përfundimisht do të flasë në një zë të vetëm për Kosovën.”

Por jo më pak i ashpër është kërcënimi ndaj Albin Kurtit, nëse të premten nuk firmos marrëveshjen e dakortësuar e tashmë të panegociueshme.

“Kosova duhet të përmbushë plotësisht pritjet e komunitetit perëndimor, veçanërisht duke respektuar marrëveshjet e kaluara. Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Të zhgënjyer, partnerëve perëndimorë do t’u mungojë nxitja për të mbështetur rritjen e mëtejshme të Kosovës. Pa këtë mbështetje thelbësore, Kosova mund të shohë një përmbysje të progresit në disa fusha.”

Dokumenti ‘non paper’ thekson rëndësinë e kësaj marrëveshjeje të sponsorizuar nga BE, dhe elementet kryesore:
– Respekton vijat e kuqe të palëve.
• Për të akomoduar vijën e kuqe të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Kosova bën një hap prapa në këmbënguljen e saj për një normalizim të përqendruar vetëm në njohjen reciproke. Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë me Serbinë për zgjidhjen e nevojave praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve.
Sipas marreveshjes se dakortesuar Serbia bën një hap prapa për të akomoduar vijën e kuqe të Kosovës për të mos negociuar pavarësinë e
saj dhe zotohet për marrëdhënie të plota praktike me Kosovën.
Në vend që të luftojë për Kosovën, Serbia zotohet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të përfituar të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.
-Angazhimi ndaj paqes rajonale dhe vlerave të BE-së.
• Serbia dhe Kosova zotohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve.
• Serbia angazhohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës.
• Kosova angazhohet për një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për Kosovën si dhe kujdesin per Komunitetin serb në përputhje me vlerat e BE-së dhe praktikat më të mira ekzistuese.

Dokumenti non paper rithekson dhe rëndesinë që ka Marrëveshja Themelore, jo vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Krahas kritereve të Kopenhagës, Marrëveshja Themelore do të menaxhojë edhe procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në BE.
• Për të shmangur gabimet e saj në të kaluarën, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të mbështesin në mënyrë aktive të dyja palët financiarisht, ekonomikisht dhe politikisht në çdo hap të rrugës. Përmes Procesit të Berlinit dhe Komunitetit Politik Evropian, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të ofrojnë një kornizë të besueshme të integrimit në BE për Serbinë, Kosovën dhe pjesën tjetër të 6 vendeve te ballkanit perendimor, me stimuj të qartë dhe të besueshëm ekonomikë, financiarë dhe politikë. Pra një integrim më shpejtë dhe më shumë ndaj ekonomive të tyre.

Ky dokument pra përmbledh ultimatumin final ndaj Vuçiç e Kurtit. Ata të premten me firmën apo jo firmën, e dinë tashmë se çfarë përfitojnë dhe rrezikojnë. Kanë në dorë dhe fatet e vendeve të tjera, përfshirë të Shqipërisë, por edhe të Kombit shqiptar të ndarë në 5 vende të Ballkanit Perëndimor. Një barrë e rëndë për Kurtin, të cilën, nëse ai të premten nuk firmos, do ta mbaje jo thjesht vetë, por do ta ndajë me të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm me shtetasin e Kosovës. Ky non paper që publikon sot ABC News, tregon vendosmerinë amerikane dhe europiane. Koha është tani. Nesër, do të jetë shumë vonë dhe dëmet, të pariparueshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!