Kreu i Prokurisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani deklaroi se ky institucion, nuk ka nevojë për më tepër prokurorë.
Gjatë fjalës së tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku raportoi për punën 1-vjeçare të këtij instucioni, Dumani u shpreh se e rëndësishme është SPAK të plotësojë organikën e saj me 20 prokurorë, pasi aktualisht ka 18.
Sipas Dumanit, SPAK ka çështje prioritare dhe një prokuror, nëse shqyrton një dosje problmatike, mund t’i duhen muaj për ta konkluduar.
“Numri i çështjeve, kur e krahason me numrin e çështjeve që ka një koleg në prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm, ndoshta nuk është i madh. Por duhet të kemi parasysh natyrën e çështjeve. Mjafton të kesh një çështje problematike dhe pastaj ajo të merr të gjithë kohën, për 5 ose 6 muaj. Kjo të bën që të lësh pas dore ndoshta disa çështje të tjera, duke u fokusuar te çështjet prioritare. Ne duhet të fokusohemi te prioritetet.
Numri i prokurorëve, vlerësoj se numri 20 për momentin është i mjaftueshëm. E rëndësishme është që të plotësohet organika me numrin 20. Ky është mendimi im, nuk e kam diskutuar me kolegë të SPAK, por numri 20 i miratuar, është i mjaftueshëm”, theksoi ai./abcnews.al