Statistikat e klubeve shqiptare në Europë

schedule14:48 - 2 Gusht, 2019

schedule 14:48 - 2 Gusht, 2019

Partizani është skuadra e fundit shqiptare që përfundon aventurën në Europë. Në 10 takime, skuadrat e superiores kanë fituar vetëm 1 ndeshje ndërkohë që kanë shënuar 4 gola dhe kanë pësuar plot 13.

Aventura e klubeve shqiptare në Kupat e Europës këtë edicion ka rezultuar një dështim. Katër skuadrat shqiptare Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi nuk kaluan asnjë tur.

Kampionët e Shqipërisë u eliminuan në turin e parë të Champions ndaj Karabag dhe kaluan automatikisht në turin e dytë të Europa League ku dështuan sërish për të vijuar rrugëtimin në Europë.

Ne 10 takimet, skuadrat shqiptare regjistrojnë 5 humbje, 4 barazime dhe vetëm një fitore ndërkohë që kanë shënuar 4 gola dhe kanë pësuar plot 13. Statistika vërtetë shqetësuese duke analizuar edhe kundërshtarët të cilët janë emra të vegjël në arenën europiane.

Nënkampionët e Shqipërisë, Kukësi humbën ndeshjen e parë ndaj Debrecen me shifrat 3-0 ndërkohë që në sfidën e kthimit barazuan me rezultatin 1-1 në “Elbasan Arena”.

Teuta e trajnerit Bledi Shkëmbi është skuadra e vetme shqiptare që regjistroi një fitore në aventurën europiane. Ndaj Ventspils humbën 3-0 në takimin e parë ndërkohë që në sfidën e kthimit në Durrës fituan minimalisht 1-0. Sa i përket skuadrës së Laçit, kurbinasit barazuan në shtëpi përballë Hapoel Bersheva me shifrat 1-1 ndërkohë që një javë më pas në Izrael u mundën minimalisht 1-0.

Edhe merkatoja intensive e klubeve shqiptare para startit të aventurës europiane nuk rezultoi e suksesshme. Tashmë nuk ka mbetur gjë tjetër veçse përgatitjeve për sezonin e ardhshëm në kategorinë superiore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!