Dybala vendos për të ardhmen

schedule14:49 - 1 Gusht, 2019

schedule 14:49 - 1 Gusht, 2019

Paulo Dibala mund të vendosë sot për largimin nga Juventusi, dhe kalimin tek Mançester Junajtid. Gjithsesi, ka edhe një ndërhyrje të Interit për të marrë yllin argjentinas.

Mbërriti në Torino dhe u quajt momenti vendimtar. Paulo Dibala do të bisedojë për të ardhmen me trajnerin e Juventusit, Mauricio Sarri, ndërsa në aeroportin piemontez nuk deshi të fliste për mediat. I buzëqeshur, por i heshtur ai hipi në makinën e dërguar nga klubi enkas për të, dhe u drejtua për vizitën mjekësore, e pastaj për në qendrën stërvitore.

“Dita e Dibalës”, titulloi tabloidi britanik, “Deili Meil”, duke komentuar se pritet përfundimi i bisedës së yllit argjentinas me trajnerin Sarri, për të parë se cila do të jetë e ardhmja.

Juventusi kërkon Romelu Lukakun nga Mançester Junajtid, duke parakaluar përfundimisht Interin, ndërsa klubi anglez si këmbim dëshiron pikërisht Dibalën. Gjithsesi, “Deili Meil” informon edhe se po ndodh diçka e re.

E përditshmja informon se në këtë biznes ka ndërhyrë Interi, duke kërkuar Paulo Dibalën nga Juventusi, për t’i dhënë si shkëmbim Mauro Ikardin. Lëvizje tepër interesante e milanezëve, që mund të sjellë një kthesë të fortë.

Për momentin, akordi më I mundshëm duket ai I Juventusit dhe Mançester Junajtidit, pra shkëmbimi Dibala-Lukaku. Dy klubet e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duke I dhënë vlerë të njëjtë kartonëve të dy lojtarëve, rreth 85-90 milionë euro.

Po ashtu, Lukaku është i vendosur të largohet nga “Old Trafordi”, ndërsa për të Juventusi është destinacion ideal, edhe pse fillimisht ishte dakord për tek Interi, pas interesimit të fortë të trajnerit Konte.

Problemi kryesor mbetej ai i rrogës, pasi Dibala i kërkoi Junajtidit një pagesë prej 350 000 paundë stërlinash në javë, gjë që do ta bënte lojtarin e dytë më të paguar në Premier Ligë, pas Aleksis Sançezit, gjithashtu tek Junajtid./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!