Politika vijon të replikojë për teatrin kombëtar. Presidenti Meta kërkon mbrojtjen e trashëgimisë historike, kryeministri sjell një tjetër artist që kërkon teatër të ri, ndërsa Lulzim Basha akuzon se kullat pas teatrit po pastrojnë paratë e drogës.
Dita e parë e Gushtit i gjeti politikanët më të lartë në vend të përfshirë në të njëjtën çështje: teatrin kombëtar. Herët në mëngjes, Presidenti Ilir Meta njoftoi hapin e radhës.
“Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental”.
E për të treguar se shqetësimi i tij për mbrojtjen e trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, ka qenë i vjetër, ka publikuar këtë video të Edi Ramës si ministër kulture në qeverinë ku Meta ishte kryeministër. Më pas, kryeministri publikoi një deklaratë të Artan Imamit, i cili kërkon teatër të ri.
“Artan Imami është një tjetër protagonist tanimë i hershëm i skenës së Teatrit Kombëtar, i cili është ngjitur në atë skenë qysh “kalama”, si një ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së re të viteve ‘80 dhe sot ai ka një opinion të qartë në debatin për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar”.
Imami kërkon urgjent një godinë të re, duke kërkuar të mos tjetërsohet prona e teatrit aktual.
“Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale,” citohet të ketë thënë Imami.
Lideri i opozitës publikoi po ashtu një video që fakton sipas tij se me ndërtimin e kullave pas teatrit, po pastrohen paratë e drogës.
“Puna e Teatrit ishte loooja! Nuk e zë gjumi hajdutin psiqik për 6 kullat 200 milionë euro! Mjerë të keqpërdorurit e radhës që flasin për gishtin kur gishti tregon hënën! Nuk ka interes për Teatrin Pa Kulla treshja Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës”, thotë Basha.
Ndërsa artistët që mbrojnë godinën ekzistuese vazhdojnë qëndresën tek Teatri Kombëtar./ABC News Albania 24/7