Personat me aftësi të kufizuar në kushte pune do të trajtohen me pagesën e paaftësisë gjatë gjithë jetës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tregoi ndryshimet në ligj. Njeë ndër to është dhe ndryshimi në mënyrën e vlerësimit të kësaj kategorie.
Zgjerohet skema e personave që do të trajtohen me asistencë sociale nga buxheti i shtetit. Kategoritë që përfitojnë i tregoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në një interpelancë me përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar.
“Ligji i ri i miratuar i asistencës sociale hap rrugën edhe për përfshirjen e atyre personave të cilët nuk përfshiheshin në skemën e sigurimeve shoqërore për shkak se nuk kishin një vit pune të siguruar në 5 vitet e fundit. Do të jenë më shumë se 3000 individë të cilët do të përfshihen në skemën e asistencës sociale nëpërmjet programeve të mbështetjes sociale për personat me aftësi të kufizuara”.
Ministrja tregoi gjithashtu se me ligjin e ri, personat me aftësi të kufizuar në kushte pune do të përfitojnë pagesën e paaftësisë jo më për 48 muaj, por gjatë gjithë jetës. Reforma parashikon ndryshime dhe në mënyrën e vlerësimit të këtyre personave.
“Flasim për një vlerësim të ri bio-psiko-social që bazohet në instrumentet më të mirë që ka ngritur Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe struktura të tjera që merren me vlerësimin e aftësisë së kufizuar të cilat ne po i adaptojmë dhe po i aplikojmë në njësitë administrative 6-7 dhe brenda vitit shtrihemi në të gjithë Tiranën”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu përgjigj pozitivisht pyetjes nëse reforma e aftësisë së kufizuar do të përfshijë dhe personat që nuk dëgjojnë ndërsa shpjegoi se synimi është integrimi i tyre në komunitet./ABC News Albania 24/7