Kitaroviç: Bosnja kontrollohet nga islami militant

schedule13:40 - 31 Korrik, 2019

schedule 13:40 - 31 Korrik, 2019

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç ka shkaktuar polemika të shumta në Sarajevë, për shkak të një deklarate të saj të bërë në Izrael, se Bosnje-Hercegovina është një shtet i paqëndrueshëm, i marrë nga njerëz që kanë lidhe me Iranin dhe organizatat terroriste. Sarajeva ka reaguar ndaj deklaratës së Kitaroviç duke e akuzuar për trillim.

Presidentja e Kroacisë e cila ka filluar tashmë garën për një mandat të dytë, gjatë vizitës treditore në Tel Aviv me homologun e saj izraelit Reuven Rivlin, citohet të ketë deklaruar se Bosnjë e Hercegovina është një shtet tejet i paqëndrueshëm i cili në njëfarë mënyrë është marrë nga njerëz të cilët kanë lidhje me Iranin dhe organizatat terroriste, respektivisht se ‘sot është nën kontrollin e islamit militant që është mbizotërues në përcaktimin e qëndrimeve’.

Kualifikimet janë bërë në kontest të trajtimit të çështjeve që lidhen me emigrantët me origjinë afrikane, siriane e pakistaneze, një problem ky me të cilin po përballet Bosnja, por edhe Kroacia, në përpjekjet e tyre që përmes këtyre dy republikave ish-jugosllave të kalojnë në Perëndim.

Këto pohime të presidentes kroate, përfaqësuesi i përhershëm i Bosnjë e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Sven Alkalaj,  i ka cilësuar si  thellësisht shqetësuese dhe përfundimisht të pasakta.

“Presidentes Kolinda Grabar-Kitarovic nuk i duhet lejuar të trillojë akuza të pabaza kundër fqinjëve të saj”, ka deklaruar Alkalaj duke folur edhe në cilësinë e pjesëtarit të komunitetit hebraik në Bosnjë e Hercegovinë e cila, sipas tij, ‘është një shtet shumetnik, properëndimor dhe demokratik ndaj të cilit fqinjët edhe sot kanë synime ekspansioniste’.

Diplomati i njohur ka thënë se është sidomos irrituese që presidentja kroate ka shfrytëzuar vizitën në Izrael veçmas në kontekst të Holokaustit si vend dhe rast për të shpalosur pohimet e veta të pavërteta.

Kryesuesi i Presidencës boshnjake, kroati Zhelko Komshiç, ndërkaq në një deklaratë përkitazi me vlerësimet e presidentes Kitaroviç citohet të ketë thënë se ‘nuk është Bosnjë e Hercegovina e paqëndrueshme, por fatkeqësisht vet Kolinda Grabar-Kitaroviç’.

Ish-kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, i ka kërkuar falje Bosnjë për deklaratën e këtillë të presidentes kroate në largim, kurse intelektuali i njohur kroat, Gradimir Grojer, i cili jeton e vepron në Sarajevë, është shprehur se ‘ndjehet i turpëruar nga deklarata fashizoide’ e Presidentes./ABC News Albania 24/7