Kohët e fundit ka pasur një përshkallëzim të përplasjeve mes SHBA-ve dhe Kinës. Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar Kinën se do të përballet me pasoja të rënda nëse ofron armë për Rusinë por nga ana tjetër Pekini ka kërkuar që të ndryshojë pikëpamjen e “shtrembëruar” ndaj tyre.
Në studion e emisionit “Lufta dhe Paqja” në Abc Neës, me të ftuar kapitenin Artur Meçollari dhe ekspertin gjeopolitik, Enri Hide, u diskutua kjo çështje. I pyetur nga gazetari Artur Zheji, Hide “zbërtheu” edhe mesazhet që përcolli ministri i Jashtëm kinez, i cili një ditë më parë ashpërsoi gjuhën ndaj SHBA.
“Thashë që jemi në një fazë tranzitore të politikës ndërkombëtare që tashmë po kalojmë në një përplasje të re dhe po kristalizohet çdo herë e më shumë. Diskursi që ministri i Jashtëm kinez përdori ishin të drejtpërdrejta. Kjo ngre një alarm të drejtpërdrejtë: Ne si Kinë nuk ju pyesim edhe sikur t’i japim armë Rusisë.
Ne jemi shtet sovran dhe vendosim vetë armiqtë dhe miqtë tanë. E dyta, ju keni vendosur të jeni armiku ynë dhe jo ne i juaji. Dhe e treta, është që prisni sepse ne jemi gati. Ushtarakisht ne ndihemi gati.”, tha Hide.
Por sa e gatshme është Kina ushtarakisht për të sfiduar SHBA? Kapiteni Meçollari theksoi se Kina nuk është e gatshme që të sulmojë edhe Tajvanin dhe sipas tij, njëra nga arsyet është forca ushtarake.
“SHBA e provokuan Kinën me vizitën e Pelosit në Tajvan. Kishte mundësi Kina të reagonte. vizita ishte një vizitë jo vetëm simbolike por kishte edhe efekte të tjera pasi ishte personaliteti më i lartë politik. Nga pikëpamja ushtarake Kina nuk është e gatshme të sulmojë Tajvanin për disa arsye. E para është ushtarake.”, tha Meçollari./abcnews.al