Macron: Në favor të garantimit kushtetues të së drejtës së abortit

schedule20:25 - 8 Mars, 2023

schedule 20:25 - 8 Mars, 2023

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se ai është në favor të konstitucionalizimit të së drejtës për abort, një veprim që ai tha se do të ishte një ” shenjë solidariteti ” me gratë në mbarë botën.

Macron e bëri njoftimin sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në një ceremoni për nder të feministes dhe avokates franceze Giselle Alimi, e cila vdiq në vitin 2020 në moshën 93-vjeçare. Alimi, e lindur në Tunizi, mbrojti me pasion të drejtën e grave për të abortuar.

“Shpresoj se fuqia e këtij mesazhi do të na ndihmojë të amendojmë Kushtetutën tonë dhe të përfshijmë në të lirinë e grave për të kërkuar një abort, në mënyrë që asgjë të mos parandalojë ose shfuqizojë diçka që do të jetë e pakthyeshme,” shtoi ai.

“Në këtë mënyrë do të dërgohet një mesazh solidariteti për të gjitha gratë që sot shohin se po preket kjo liri e tyre”, theksoi ai.

Të dy dhomat e Parlamentit francez kanë votuar tashmë në favor të përfshirjes së të drejtës së abortit në Kushtetutë. Megjithatë, Senati flet për “lirinë” dhe Asambleja Kombëtare për “të drejtën” e abortit.

Macron tha se një projekt-ligj për ndryshimin e Kushtetutës do të paraqitet brenda disa muajve të ardhshëm.

Në një gjyq historik, në vitin 1972, Alimi fitoi pafajësinë e një të miture që po gjykohej për abort pasi mbeti shtatzënë nga përdhunimi. /abcnews.al