Vazhdojnë protestat në Gjeorgji kundër ligjit të “agjentëve të huaj”

schedule19:25 - 8 Mars, 2023

schedule 19:25 - 8 Mars, 2023

Mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat masive në Tbilisi, Gjeorgji, për të dytën ditë radhazi të mërkurën, duke protestuar kundër ligjit të “agjentëve të huaj”.

Sipas kritikëve të tij, ligji shënon një kthesë autoritare që dëmton shanset e Gjeorgjisë për të fituar lidhje më të ngushta me Evropën.

Parlamenti i Gjeorgjisë miratoi të martën një ligj në leximin e parë që kërkon që çdo organizatë që merr më shumë se 20% të financimit të saj nga jashtë të regjistrohet si “agjent i huaj” ose të përballet me gjoba të konsiderueshme.

Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” thotë se është modeluar sipas legjislacionit të SHBA që daton në vitet 1930. Kritikët e saj, duke përfshirë presidenten e vendit Salome Zourabivili, thonë se i ngjan një ligji rus të përdorur nga Kremlini për të shtypur disidencën.

Në përleshjet e dhunshme që ndodhën në mbrëmje, protestuesit hodhën kokteje molotovi dhe gurë ndaj policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën. Ministria e Brendshme bëri të ditur se janë arrestuar 66 persona.

Protestat rifilluan të mërkurën në mbrëmje me një marshim për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e cila është një festë në Gjeorgji.

Demonstruesit mbanin flamuj gjeorgjian dhe të BE-së në rrugën kryesore Rustaveli drejt parlamentit, duke brohoritur “Jo ligjit rus”.

Partitë opozitare bënë thirrje për një natë të dytë të demonstratave masive jashtë Parlamentit.

Çështja ka thelluar përçarjen midis partisë Ëndrra Gjeorgjiane, e cila drejton qeverinë dhe ka shumicën në parlament, dhe Presidentit Zourabishvili, një grua pro-evropiane.

Ajo vetë ka shprehur mbështetjen e saj për protestuesit, duke thënë dje se ligjvënësit që miratuan projektligjin shkelën Kushtetutën. Ajo është zotuar gjithashtu të vërë veton ndaj projektligjit nëse arrin në tryezën e saj, megjithëse Parlamenti mund të anashkalojë një veton presidenciale për të detyruar ligjet të miratohen.

Kritikët thonë se “Ëndrra Gjeorgjiane” është shumë afër Rusisë dhe e ka udhëhequr vendin në një drejtim të rritjes së represionit vitet e fundit. Shoqëria gjeorgjiane është fuqishëm kundër Moskës pas vitesh konflikti me Rusinë për statusin e rajoneve separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut të mbështetur nga Moska.

Kryetari i Ëndrrës Gjeorgjiane Irakli Kobakhindze mbrojti sërish projektligjin sot, duke thënë se ai do të ndihmojë në çrrënjosjen e atyre që punojnë kundër interesave të vendit dhe kishës së fuqishme ortodokse gjeorgjiane. Ai kritikoi “opozitën radikale” të Gjeorgjisë për nxitjen e protestuesve për të përdorur “dhunë të paprecedentë” gjatë mitingjeve të djeshme, sipas agjencive gjeorgjiane të lajmeve.

Disa zyrtarë të BE-së kanë shprehur shqetësime rreth ligjit.

“Miratimi i këtij ligji për influencën e huaj  nuk është në përputhje me rrugën drejt BE-së, e cila është e dëshiruar nga shumica në Gjeorgji,” tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Brukseli vitin e kaluar kundërshtoi ofertën e Tbilisit për t’u bërë një kandidat për anëtarësim në BE, duke thënë se duhet të përshpejtojë reformat në fusha të tilla si sundimi i ligjit, liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit.