Veliaj: “Krenar që iu kemi shërbyer familjeve të Kavajës, do të fitojmë betejën e ardhshme me sukses”

schedule15:28 - 5 Mars, 2023

schedule 15:28 - 5 Mars, 2023

Në prag të festave të 7 dhe 8 marsit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi edhe një takim me gratë dhe vajzat e Kavajës.

Së bashku me kryetarin e kësaj bashkie, Redjan Krali dhe deputetin e PS, Etjen Xhafaj, Veliaj u shpreh se Kavaja prej kohësh e ka kuptuar që bastioni i vetëm është familja dhe jo partia.

Kavaja nuk është bastion partish. Kavaja është një bastion zemrash, është një bastion idealesh, është një bastion dashurie, një bastion mbarësie dhe mirësie. Kjo do të thotë që, në qoftë se kemi kuptuar një gjë nga kjo punë, është se partia kryesore nuk është as PS, as PD.

Partia kryesore është familja jote. Të gjitha partitë e tjera vihen në garë që t’i shërbejnë familjes tënde dhe në qoftë se me Redi Kralin këtu në Kavajë, me Edi Ramën në Tiranë, në krye të gjithë Shqipërisë, dhe me gjithë skuadrën tonë, i kemi shërbyer familjeve të Kavajës, atëherë meritojmë ta mbajmë kokën lart e të fitojmë edhe betejën e ardhshme me sukses këtu në Kavajë,” deklaroi Veliaj.

Ai ka falenderuar të gjitha gratë e vajzat, që kanë shërbyer sidomos në sektorë jetësorë publikë, e veçanërisht në momente të vështira si ai i pandemisë që kaluam.

Ju falënderoj me gjithë zemër për gjithë këtë angazhim të jashtëzakonshëm, nga ato që shërbejnë aty ku ne kemi fëmijët tanë në çerdhe, kopshte e shkolla, mësueset, edukatorët e psikologet që punojnë me kaq shumë dashuri.

Tani që kemi edhe çerdhe, kopshte që janë bërë më të mira, edhe puna është bërë pak më e kollajtë. Dua të falënderoj të gjitha ato që janë doktoresha e infermiere. Në ditët më të vështira të pandemisë ishin edhe më të forta se burrat, e ndërkohë i shërbyen familjes së tyre dhe gjithë qytetit tonë.

Jam i përulur me respekt për të gjitha gratë e vajzat që punojnë në Bashkinë e Kavajës e kanë transformuar totalisht faqen e qytetit, por nuk besoj që ka një angazhim më të madh sesa të jesh një nënë, apo një gjyshe. Ju faleminderit nga zemra dhe ju përulem me shumë respekt e mirënjohje. Gëzuar festën,” uroi Veliaj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!