Ministrja Denaj paralajmërim bizneseve për faturat tatimore

schedule13:19 - 29 Korrik, 2019

schedule 13:19 - 29 Korrik, 2019

Vijojnë inspektimet nëpër biznese në kuadër të luftës kundër informalitetit. Sipas ministres Denaj ka përmirësime për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit, por nuk mungojnë edhe abuzimet.

Inspektimet në kuadër të luftës kundër informalitetit vijojnë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj vëren se ka një përmirësim të dukshëm të treguesve për shkak ët rritjes së ndërgjegjësimit të subjekteve për t’u përmirësuar, por nuk mungojnë rastet e shkeljeve.

“Janë konstatuar shkelje për herë të tretë të kuponit tatimor dhe bazuar në procedurat tatimore, përgjegjësit në këtë rast do të ndiqen penalisht. Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha Denaj.

Denaj shoqërohej nga zv/drejtori i përgjithshëm i tatimeve Ervin Hoxha, sipas të cilit janë lokalet me xhiro të lartë ato që shmangin detyrimin për të prerë kuponin tatimor.

Ministrja e Financave u bën thirrje taksapaguesve që bazuar në ndryshimin e ligjit të procedurave tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval” të hapin llogaritë bankare të biznesit të tyre, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve të miratuara më 26 korrik, ndërsa për tatimpaguesit e rinj, jo më vonë se 20 ditë nga e nesërmja e regjistrimit të tyre.

Gjatë verifikimeve të kryera nga strukturat e Hetimit Tatimor, në Tiranë, në orët me aktivitet më të lartë ekonomik është konstatuar se ka përmirësim të dukshëm të treguesve edhe për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të subjekteve për t’u vetëkorrigjuar. Megjithatë, nuk kanë munguar edhe raste të përsëritjes së vazhdueshme të shkeljeve.

“Janë konstatuar shkelje për herë të tretë të kuponit tatimor dhe bazuar në procedurat tatimore, përgjegjësit në këtë rast do të ndiqen penalisht. Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha ministrja Denaj.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ervin Hoxha, tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar lokale me xhiro të lartë, që kanë shmangur detyrimin për të prerë kupon tatimor.

“Kemi vënë re tendenca për mosdeklarim dhe mos përmirësim të xhiros nga këto subjekte, që janë me risk të lartë. Ju bëjmë thirrje që të vetëpërmirësohen dhe vetëdeklarohen sepse kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë që të përmirësojmë këtë situatë”, tha z.Hoxha.

Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit është edhe ndryshimi i ligjit të Procedurave Tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval”, për të cilin znj. Denaj kërkoi bashkëpunim e tatimpaguesve për zbatimin e plotë të tij.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë i bëri apel tatimpaguesve të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Administratës Tatimore të hapin llogari bankare të  biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ndërsa, tatimpaguesit e regjistruar rishtas janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në QKB/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në organet tatimore.

“Ju lutemi tatimpaguesve të hapin llogaritë bankare, të regjistrojnë biznesin sipas procedurave ligjore. Nëse respektojmë rregullat, respektojmë ligjet shqiptare, atëherë do të kemi më pak inspektime, një marrëdhënie korrekte dhe garantim të konkurrencës së ndershme në treg”, tha ministrja Denaj./ABC News Albania 24/7