Athina është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet turke në lidhje me kërkesën e një të burgosuri grek në një burg turk për të marrë pjesë në varrimin e djalit të tij, i cili është ndër viktimat e tragjedisë në Tempi.
Sipas burimeve diplomatike, familja e një të burgosuri grek ka kërkuar ndihmën e Konsullatës Greke në Adrianopojë, për t’i dhënë leje, për arsye humanitare, të burgosurit në fjalë për të marrë pjesë në varrimin e djali të tij.
Pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, konsulli grek ka kontaktuar menjëherë prokurorinë kompetente turke dhe ka kërkuar leje urgjente, pa respektuar afatin javor.
Leja e kërkuar për vizitë është dhënë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe sot në mëngjes pritet të zhvillohet takimi në fjalë. Njëkohësisht u kërkua një takim me kreun e Prokurorisë së Përgjithshme kompetente të Raidesto për t’i transferuar kërkesën përkatëse të shtetasit grek.
Gjithashtu, në kuadër të udhëzimeve të Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, Ambasada e Greqisë në Ankara i dërgoi menjëherë Ministrisë së Jashtme të Turqisë një komunikatë verbale, ku nënvizoi natyrën humanitare të kërkesës.
Janë realizuar edhe komunikime telefonike të Ambasadës Greke, me Drejtoritë e Marrëdhënieve Dypalëshe, si dhe Çështjet Konsullore të Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Sot në orët e pasdites do të zhvillohet, për të njëjtën çështje, një takim mes ambasadorit grek në Ankara dhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme turke.
/abcnews.al