BE zgjat sanksionet ndaj Bjellorusisë me një vit

schedule08:59 - 28 Shkurt, 2023

schedule 08:59 - 28 Shkurt, 2023

Bashkimi Europian njoftoi të hënën se do të zgjasë me një vit sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë për goditjen e regjimit të Aleksandër Lukashenkos dhe mbështetjen e Minskut për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sanksionet do të zgjaten deri më 28 shkurt 2024, njoftoi të hënën Këshilli Europian, i cili përfaqëson 27 vendet anëtare të BE-së. Më herët të hënën, prokurorët kërkuan një dënim me 19 vite burg për liderin e opozitës bjelloruse në mërgim.

Svetlana Tsykhanovskaya është në gjyq në mungesë në ish-republikën sovjetike që nga janari. Që nga gushti 2020, BE ka vendosur disa grupe sanksionesh ndaj zyrtarëve që i ka konsideruar përgjegjës për shtypjen e opozitës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Bjellorusi.

Vetë presidenti bjellorus dhe 194 figura të afërta me regjimin janë subjekt i ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së çdo burimi që ata kishin në juridiksionin europian.

Sanksione janë vendosur edhe për 34 persona juridikë dhe atyre u është ndaluar të gjitha financimet europiane.

Bjellorusia është ende subjekt i sanksioneve ekonomike të synuara europiane, në veçanti kufizimeve në sektorin financiar, tregtinë, të ashtuquajturat mallra me përdorim të dyfishtë, telekomunikacionin, energjinë dhe transportin.

/abcnews.al