Pritet nënshkrimi i marrëveshjes, Ura e Bunës do të bëhet me financimin e qeverive

schedule11:16 - 27 Shkurt, 2023

schedule 11:16 - 27 Shkurt, 2023

Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze që sapo ka nisur në Podgoricë, mes të tjerash, do të nënshkruhet edhe marrëveshja për ndërtimin e urës në lumin Buna. Investimi për urën që lidh Velipojën dhe Ulqinin dhe që do të jetë 310 metra e gjatë, do të bashkëfinancohet nga të dyja vendet.

Është një nismë e mbështetur drejtpërdrejt nga kryeministrat e të dy vendeve për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe. Kjo urë, që do të ndërtohet në zonën kufitare mes Velipojës dhe Ulqinit, do të ketë dy korsi me 3.75 metra secila. Do të ketë gjithashtu trotuar si edhe korsi biçikletash në të dy anët.

Do të lidhë dy vendet nëpërmjet rrugëve lokale Shkodër-Velipojë në Shqipëri dhe atë në jug të aeroportit ekzistues në Malin e Zi. Ura do të jetë 10 metra e lartë që garanton rrjedhjen normale të lumit. Qeveritë pritet që të financojnë 20 milionë euro për ndërtimin e urës dhe për projektet e tjera infrastrukturore. /abcnews.al