KOSOVË- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i kanë dëruar një letër kryeministrit të Kosovës në lidhje me takimin e të hënës në Bruksel dhe propozimin Evropian.
Në këtë letër, ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.
“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Ata kanë thënë se presin që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet për propozimin e BE-së dhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Sipas tyre, Këshilli Evropian e ka shprehur tashmë mbështetjen për këtë marrëveshje të rëndësishme, ku të dyja palët duhet t’i përmbahen zotimeve të tyre, përfshirë këtu, marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Evropian e ka shprehur mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet mes tjerash në letër/n.m.abcnews.al