KPA konfirmon në detyrë gjyqtaren e Apelit për Krime të Rënda

schedule15:50 - 26 Korrik, 2019

schedule 15:50 - 26 Korrik, 2019

Rikonfirmohet në detyrë për herë të dytë gjyqtarja e Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova. KPA vendosi që ta lërë në detyrë pas kërkesës së Komisionerit Publik. Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin Klodian Braho, anëtar i SPAK.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të konfirmojë përfundimisht në detyrë, gjyqtaren e Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova.

Komisioneri Publik, në seancën kur relatoi konkluzionet përfundimtare, i kërkoi trupës gjykuese të Kolegjit që të linte në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Kosovën.

Më herët Komisionieri Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK-së me argumentin se nuk ka bërë hetim të plotë për gjyqtaren, por pas provave të paraqitura nga ana e Gjyqtares Nertina Kosova, Ballhysa ka kërkuar lënien e saj në detyrë.

Një tjetër konfirmim në detyrë ka vendosur sot edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Prokurori Klodian Braho, anëtar i SPAK, do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.

Hetimi për Brahon u bazua në të tre kriteret e vlerësimit; atë të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Nga hetimi i KPK-së rezultoi se prokurori kishte pasuri të justifikuara, me burime të ligjshme krijimi, aftësi profesionale shumë të mira dhe sipas raportit të Drejtorisë së Informacionit të klasifikuar, pa asnjë kontakt me botën e krimit./ABC News Albania 24/7