Depozitat me afat në lekë ranë për të nëntin vit radhazi në 2022

schedule07:43 - 22 Shkurt, 2023

schedule 07:43 - 22 Shkurt, 2023

Depozitat me afat në lekë pësuan rënie për të nëntin vit radhazi në 2022.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e depozitave me afat në lekë zbriti në 203.4 miliardë lekë, në rënie vjetore me 6.3%.

Rënia e depozitave me afat në monedhën vendase madje u thellua më tej nga niveli prej -3.5% i një viti më parë. Duke filluar nga viti 2014, depozitat me afat në lekë nisën një cikël rënieje, e ndikuar shumë nga ulja graduale e normave të interesit.

Kursimet në banka filluan të dominoheshin kryesisht nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat. Kjo tendencë ka vijuar edhe vitin e kaluar, megjithëse normat e interesit të depozitave iu kthyen rritjes, duke ndjekur kursin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në lekë në dhjetor 2022 arriti në 1.89%, në rritje për të gjashtin muaj radhazi. Krahasuar me një vit më parë, interesi i depozitave me afat në lekë është rritur me 1.22 pikë përqindje ose 182%. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të frenuar tendencën disavjeçare rënëse të depozitave me afat në monedhën vendase.

Kjo lidhet në radhë të parë me stanjacionin e totalit të depozitave në lekë. Sipas të dhënave të bankës qendrore, depozitat në lekë të sektorit privat për vitin e kaluar rezultuan në stanjacion, ku rënia e depozitave me afat u kompensua nga një rritje me 3.9% e depozitave pa afat dhe llogarive rrjedhëse. Rritja e depozitave bankare erdhi pothuajse e gjitha nga zgjerimi i mëtejshëm i depozitave në valutë të huaj, për që për vitin 2022 u rritën me 9.3%.

Stanjacioni i depozitave mund të jetë ndikuar nga nivelet e larta të inflacionit, që kanë ndikuar negativisht kursimet e familjeve, por edhe nga qëndrimi shtrëngues i politikës fiskale dhe ulja e deficitit buxhetor.

Një faktor tjetër që ka ndikuar negativisht ecurinë e depozitave në lekë dhe sidomos të atyre me afat ka qenë konkurrenca nga rritja e fortë e yield-eve të bonove dhe obligacioneve.

Yield-i mesatar i bonove 12 mujore të thesarit në muajin nëntor arriti në 5.83%, niveli më i lartë që prej vitit 2013. Yield-et e bonove u rritën madje me ritme më të shpejtë se norma bazë e interesit, për shkak të pritshmërive të investitorëve për rritje të shpejtë të normave në të ardhmen e afërt.

Pas muajit dhjetor, tregu u qetësua disi dhe rritja e yield-eve u korrigjua ndjeshëm. Në fund të muajit janar të këtij viti, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12 mujore zbriti në 4.86%, rreth një pikë përqindje më pak krahasuar me pikun që pati prekur në muajin nëntor 2022.

Megjithatë, rritja e yield-eve i ka bërë instrumentet e borxhit të qeverisë joshëse edhe për investitorët e vegjël. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë/Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!