Australiani Kaleb Juan fiton etapën e 16-të të Turit të Francës. Fanelën e Verdhë vazhdon ta mbajë çiklisti francez, Alafilip.
Një cirkuit për të kënaqur njerëzit e shpejtësisë. Ishte dita e sprintierëve në Turin e Francës, në etapën e 16-të prej 177 kilometrash fushorë, një shëtitje në vendet e bukura të natyrës, dhe me mbërritje pak a shumë aty ku u nisën, në qytetin e Nimës.
U deshën rreth 4 orë për të përshkruar rrugëtimin, me shpejtësi të lartë mesatare mbi 45 km në orë, dhe me shpërthime afër 70 km në orë, pranë finishit.
Për kampionët e sprintit ishte momenti për të qenë në qendër të vëmendjes, ndërsa pretendentët për të fituar Turin nuk ishin edhe aq aktivë, duke iu ruajtur ndonjë rrëzimi apo gabimi që mund t’i kushtonte.
Nuk arritën t’i shmangeshin plotësisht pasi rrëzim i ndodhi kampionit në fuqi Xhereint Tomas, dhe danezit Jakub Fuglsang.
Nëse britaniku vazhdoi garën dhe nuk humbi asnjë sekondë, Fuglsang u detyrua ta braktiste për fare konkurrimin.
Mëkat, pasi ishte rival serioz, në vendin e 9-të në renditje me rreth 5 minuta vonesë nga kreu.
Në mbërritje, më i shpejtë u tregua australiani Kaleb Juan, që mposhti italianin Elia Viviani dhe holandezin Grënevegen.
Në renditjen e përgjithshme, Fanelën e Verdhë vazhdon ta mbajë francezi Alafilip, me diferencë të pandryshuar nga britaniku Tomas apo holandezi Krajsvajk. /ABC News Albania 24/7