Kësaj here Komiteti Rajonal i Turizmit drejtuar nga ministri Klosi, u mblodh në qarkun e Fierit. E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, si e deleguara e Këshillit të Ministrave për të drejtuar grupin ndërinstitucional për menaxhimin e sezonit turistik 2019.
Kur sezoni turistik është pothuajse në pikun e vetë, bilancet paraprake duken të mira. Në një zonë që dallon për turizmin kulturor, fetar dhe natyror, në Ardenicë, është mbledhur Komiteti Rajonal i Turizmit të qarkut të Fierit, e drejtuar nga Ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe prani të ministres së Kulturës Elva Margariti dhe drejtuesve më të lartë vendore. Turizmi bregdetar, kulturor por edhe ai i agrobiznesit, u konsideruan nga Ministri Klosi dhe Margariti si nga më të spikaturit në qarkun e Fierit dhe ofertat më të sukseshme për vizitorët shqiptarë dhe të huaj.
“Sot në të gjithë sipërfaqen që prek detin Adriatik në qarkun e Fierit kemi një sistem perfekt të ndarjes së plazheve nga të dyja bashkitë, kemi një sistem të menaxhimit të hapësirave publike dhe bashkitë janë në gjendje të ofrojnë jo vetëm pastërtinë e skajshme të këtyre plazheve, por edhe sistemin e ruajtjes së jetës në plazh.
Jo më kot kemi ardhur në Ardenicë, për të realizuar këtë mbledhje të Task Forcës pasi nga kjo pikë e re agroturistike ku jemi realisht kupton formulën magjike për turizmin shqiptar. Ne duhet të zhvillojmë turizmin e natyrës”.
Ministrja Margariti duke iu referuar siteve arkeologjike të Apolonisë dhe Bylisit, si dy nga asetet më elitare të trashëgimisë kulturore kombëtare, tha se janë marrë një sërë masash për të ofruar shërbim më cilësor ndaj pushuesve dhe turistëve.
“Jemi në fazën e rishikimit të biletave. Kjo është një nga kërkesat e para që na është bërë nga drejtuesit e siteve, muzeve dhe në fund të muajit do të kemi një relacion të detajuar, mbi statistikat dhe strategjitë e posaçme, që duhen zbatuar në secilin sit. Në parkun e Apolonisë po zhvillohen tri projekte gërmimesh dhe po zgjerojmë sinjalistikën. Ndërkohë vazhdojnë ndërhyrjet restauruese në kisha e manastire të zonës dhe do të vijohet edhe me restaurimin e afreskeve, që tërheqin më së shumti turistët e huaj”.
Një ditë më parë ministri Klosi ishte në Darzezë, atje ku vazhdon aksioni për plazhet publike. Në të njëjtën mënyrë sipas ministrit do të veprohet në të gjithë bregdetin. /ABC News Albania 24/7