KOSOVË– ShBA dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të punojnë për arritjen e një marrëveshje mes tyre, pavarësisht se ky proces siç thonë njohësit e fushës kërkon kohë dhe angazhime.
Gazetari nga Kosova, Ridvan Berisha, theksoi në “Ballkan Update” se debati i djeshëm në Kuvend në lidhje me hapat që po ndërmerren për vijimin e dialogut me Serbinë e përballi Albin Kurtin kryeministër me të shkuarën e tij në opozitë. Ai thotë se Albin Kurti ka hyrë me vonesë në kostumin e kryeministrit dhe këtë e bazon tek mënyra se si po sillet me opozitën nga njëra anë dhe me palën ndërkombëtare në anën tjetër.
“Për sa kohë që ishte në opozitë Kurti nuk linte gjë pa thënë për proceset që janë bërë. Fjalori i Ymerit nuk paraqet lajm, sepse këto lajme i dëgjojmë kudo. Debati i djeshëm në Kuvend e përballi Kurtin e sotëm kryeministër me Kurtin e djeshëm në opozitë. Kryeministri po sillet si burrështetas dhe ka hyrë në kostumin e kryeministrit dhe nuk është Kurti i djeshëm në opozitë. Ndoshta me vonesë, por e ka parë se rreshtimi me aleatë nuk bëhet vetë, por bashkërisht me ta”, theksoi ai.
Sipas gazetarit, kryeministri i Kosovës gjatë kohës kur ishte në opozitë sulmonte pa drojë kundërshtarët pasi nuk e dinte se çfarë do të thotë presion ndërkombëtar dhe tani që e ka një të tillë, ai po sillet shumë ndryshe.
“Kurti në fillim e mori me vrap politikë-bërjen aktive duke ndërtuar narracione që Kosova duhet të jetë sovrane dhe duhet të vendosë vetë, duke thënë se paraardhësit e tij ishin të shantazhuar etj etj. Kur ishte në opozitë ai nuk e dinte presionin ndërkombëtar dhe tani po përballet me presionin ndërkombëtar. Kryeministri në Kosovë e ka mbështetjen e botës të vendosë, por ka problem me Kurtin e djeshëm në Kosovë, sepse opozita është mjaft konstruktive me gjithë pyetjet që ngrihen. Procesi është zhbllokuar dhe kemi një plan franko-gjerman dhe publiku është i privuar nga ai plan se çfarë ka ai plan dhe cilat janë kushtet e Albin Kurtit. Paqja mbetet e pa alternativë. Kurti do angazhohet në këtë punë dhe e ka të sikletshme këtë punë, por ka marrë përgjegjësinë dhe duhet ta zbatosh dhe nuk mund të ikësh nga kjo. Kemi humbur me aksione në veri”, shtoi ai.
Teksa komentoi planin franko-gjerman, gazetari shprehet se implementimi i tij do të bëhet me disa faza dhe se gjithçka do bëhet për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për publikun kosovar dhe më gjerë, çdo gjë është në errësirë dhe ne që kemi qasje në burime të ndryshme, mund të dimë deri me një mase se ekziston një skenar për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Hilja e madhe ekziston te plani gjerman dhe ka disa faza implementimi. Asocacioni nuk përbën problem, por është inkorporuar tek plani franko-gjerman. Ka skenar, faza dhe ka kohë. Kryeministri Kurti nuk e bën publike atë plan, sepse do ta ruaj konfidencialitetin me BE. Kurti është duke u treguar burrështetas dhe me shumë kokëfortësi me opinionin kosovar”, shtoi ai/n.m.abcnews.al