Subjektet në zonën e Lungomares në Vlorë janë kontrolluar nga strukturat e Hetimit Tatimor. Gjatë këtij inspektimi ishte e pranishme edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila i ka bërë thirrje bizneseve që të respektojnë ligjin dhe të mos cënojnë konsumatorin.
Dy subjekte janë bllokuar pasi ka rezultuar se nuk kanë qenë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Një tjetër biznes për moslëshim kuponi (hera e parë u gjobit në masën 50,000 lekë.
Janë këto rezultatet e 19 kontrolleve që ka zhvilluar në terren Hetimi Tatimor. Por kjo nuk është e mjaftueshme sipas ministres së financave dhe ekonomisë.
“Unë mendoj se kemi akoma shumë punë për të bërë, për të inspektuar të gjithë zonën deri në fund. Shpresojmë që të kemi zero gjetje, zero kupona në shkelje të ligjit dhe mbi të gjitha të kemi regjistrime të plota”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në zonën e Lungonares në Vlorë, ministrja Anila Denaj kërkoi që me këtë plan operacional të arrihet edhe ndërgjegjësimi i bizneseve jo vetëm ndëshkimi i tyre.
“Kemi inspektuar gjithë zonën e bregdetit deri në Orikum dhe do të vazhdojmë me verifikimet. Shpresoj që të kemi rritur ndërgjegjësimin e bizneseve dhe për këtë flasin edhe shifrat. Sikundër e kemi nënvizuar gjithmonë qëllimi ynë nuk është vetëm kryerja e verifikimeve në terren, por edhe ndërgjegjësimi. Përgjegjësia e biznesit është përgjegjësia e kërkuar për të respektuar ligjin dhe për të qenë në mbrojtje të konsumatorit”.
Zbatimi i Planit Operacional do të vijojë të shtrihet në të gjithë territorin për të bërë të mundur evidentimin e subjeteve që nuk respektojnë ligjin, rritjen e të ardhurave, si dhe respektimin e konkurrencës së ndershme.
/ABC News Albania 24/7